E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asgjësohen në përrua 100 tonë barut

Asgjësohen 100 tonë barut, lëndë e parë për prodhimin e predhave të kalibrave të ndryshëm në Uzinën e Municioneve në Poliçan. Lajmin e kanë bërë të ditur burimet e policisë ushtarake të Qarkut të Beratit. I njëjti burim referon se sasia prej 100 tonësh barut i zi në formë makaronash dhe rezervë e lëndës së parë për prodhimin e predhave të artilerisë shqiptare në Kombinatin e Armëve në Poliçan, ruhej prej vitesh në depot mbitokësore të repartit ushtarak, në fshatin Kapinovë, rreth 40 km në lindje të qytetit të Beratit. Deri 5-6 vjet më parë, këto depo ushtarake diku në mes të një pylli pafund, ruheshin nga një efektiv i plotë ushtarësh aktivë dhe me një automjet zjarrfikës, së bashku me efektivin e saj. Në mesin e vitit 2004, të gjithë oficerët aktivë të repartit dhe 8 efektivat zjarrfikës dolën në reformë, ndërsa makina zjarrfikëse u shit për hekurishte dhe në ruajtje të depove gjigante mbitokësore në fshatin Karkanjoz, mbeti vetëm një vendroje me 3-4 ushtarë aktivë. Burimet ushtarake në Berat bënë me dije se ka qenë pikërisht kjo arsyeja kryesore, por edhe frika e vetëndezjes së barutit nga temperaturat e larta të stinës, që i kanë shtyrë drejtuesit aktualë të Ministrisë së Mbrojtjes të ndërmarrin vendimin për asgjësimin e tij. Mësohet se financimi i këtij projekti special u bë nga qeveria amerikane, ndërsa zbatimi u krye nga specialistë ushtarakë shqiptarë, në bashkëpunim me ekspertë ushtarakë anglezë. Asgjësimi është bërë në fund të përroit të fshatit Malinat, rreth pesë km larg depove ku ai ruhej prej më shumë se tri dekadash dhe nën mbikëqyrjen e rreptë të policisë dhe ekspertëve vendas e të huaj ushtarak.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›