E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishja e zgjedhjeve, shkatërrim i sistemit dhe atentat ndaj Shqipërisë

Edmond Panariti/Ish-ministër i Jashtëm

-Ende nuk ka asnjë perceptim e asnjë ndërgjegjësim reflektues nga mazhoranca, mbi fatalitetin e prishjes së konfigurimit kushtetues të Komisionit Qendor të Zgjedhjeve. Shkarkimi i jashtëligjshëm i njërit prej anëtarëve të KQZ-së, në fakt e deligjitimoi në tërësi këtë komision, i cili tashmë është jashtë binarëve dhe nuk duhet të vazhdojë në paligjshmërinë e tij. Ndërsa numërimi prapa i procesit zgjedhor ka filluar, ne sot nuk kemi një autoritet qendror të administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Kjo është kompromentuese dhe më tepër se kaq është shumë e rëndë, e rrezikshme dhe fyese. Kjo që po ndodh është një turp për të gjithë ne dhe dëshmon se çfarë përmasash mund të marrë polarizimi i tejskajshëm, klima e mosbesimit midis palëve dhe papërgjeshmëria. Nëse dikush synon të çojë vendin në zgjedhje me institucione farse, atëherë synimi i vërtetë është prishja e zgjedhjeve. Nëse synimi është prishja e zgjedhjeve, atëherë qëllimi i vërtetë është shkatërrimi i sistemit, instalimi i kaosit, anarkisë dhe i destabilitetit. Shqipëria dhe shqiptarët, ende nuk janë çliruar nga makthet e kolapsit shtetëror, anarkisë dhe dramës kombëtare të pas zgjedhjeve të viti 1996. Shurdhëria, verbëria dhe papërgjegjshmëria e atëhershme, i shtruan udhën revoltës, anarkisë dhe e ndezën anembanë Shqipërinë duke djegur të paktën dhjetë vite të proceseve, shpresave dhe të ardhmes se saj. Pa permendur ketu dramat dhe tragjedite njerezore te asaj cmendurie e cila filloi si dhunim institucional. Çdo politikan racional dhe i përgjegjeshëm i këtij vendi, duhet të kuptojë menjëherë se kjo është një situatë humbjeje dhe humbësish. Nuk ka kohë dhe për fat të keq, si gjithnjë ndodhemi në emergjencë kohore, ndodhemi në ‘cajt -not’’ dhe e gjitha kjo kur ndodhemi më pak se dy muaj larg zgjedhjeve. Duhet vepruar shpejt, me përgjegjshmëri dhe vendosmëri ëer rivendosjen e legjitimitetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Baraspeshimi i anëtarësisë dhe zgjedhja e një kryetari me konsensus, do t’i rikthente institucionit legjitimitetin dhe do të rivendoste besimin e shqiptarëve ndaj tij. Duhet vepruar tani, përndryshe Shqipërisë dhe së ardhmes së saj po i përgatitet një atentat i rëndë.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›