E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishja me Pekinin, Hoxha i shtrin dorën Indisë

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Nju-Delhi, 11 gusht 1978 – Në numrin e gazetës 6 gusht të të përditshmes së Beogradit, “Politika” është botuar një raport nga korrespondenti i kësaj gazete në Nju-Delhi. Artikulli titullohej “Pas prishjes me Kinën, Tirana është kthyer nga India për ndihmë. Organi i qeverisë jugosllave, “Politika”, me korrespondentin e saj, M. Misiç, që ndodhet në Indi, shkruante në datë 6 gusht se zhvillimet e fundit tregojnë për një prishje të marrëdhënieve të Shqipërisë Komuniste me Kinën e Kuqe dhe konfirmohej se Shqipëria po përpiqej të afrohej me Indinë. Gazeta e përditshme e Nju-Delhit, “Indian Express” e datës 5 gusht kishte një informacion nga korrespondenti i saj në Londër, i cili i referohej “burimeve diplomatike” që thoshte se një delegacion zyrtar nga Tirana pritej që së shpejti të mbërrinte në kryeqytetin indian, Nju-Delhi. Qëllimi kryesor i kësaj vizite do të ishte përcaktimi i ndihmës ekonomike dhe teknike që Shqipëria mund të shpresonte që të merrte nga një nga vendet më të mëdha të botës. Në të njëjtën kohë, një përgjigje e pjesshme i ishte dhënë kësaj kërkese të Tiranës, e cila ishte vënë në kërkim të një aleati të ri, i aftë që të mbushte boshllëqet e lëna pas tërheqjes së Pekinit dhe për këtë ata kishin zgjedhur Nju-Delhin. Sipas gazetës “Indian Express”, udhëheqësit shqiptarë kishin arritur në përfundimin se vetëm India mund të përmbushte nevojat e tyre dhe në të njëjtën kohë të qëndronte larg ndërhyrjes në punët e brendshme të këtij shteti të vogël në Ballkan. Kjo konfirmon edhe njëherë se përse Shqipëria është duke kërkuar një aleat që të gjendet sa më larg të jetë e mundur nga territori i saj. Gazeta indiane thekson gjithashtu se udhëheqësit shqiptarë kanë ndjekur me shumë kujdes politikën e jashtme indiane këto kohët e fundit, veçanërisht që kur partia Janata mori drejtimin e vendit. Udhëheqësve shqiptarë u ka bërë “shumë përshtypje” mënyra me të cilën ministri i Punëve të Jashtme të Indisë, A. B. Vajpayee, ka vepruar si ndaj fqinjëve të Indisë, ashtu edhe ndaj fuqive të mëdha dhe vendeve të tjera. Edhe Vietnami u përmend si një nga vendet e veçanta mes “shteteve të tjera”, të cilave u është dhënë një ndihmë e jashtëzakonshme ekonomike nga India, ndërsa këta të fundit kishin respektuar pavarësinë e Hanoit, duke mos ndërhyrë në çështjet e brendshme të shtetit të Vietnamit. Gjithnjë sipas gazetës “Indian Express”, delegacioni shqiptar i Nju-Delhit, i përbërë nga ekspertë të ndryshëm, do të dorëzonte një listë me projektet që kinezët kishin lënë përgjysmë. Ndër projektet në fjalë mund të përmenden: “Fabrika tekstilesh, infrastrukturë rrugore, godina për industri të mesme dhe të rëndë, por dhe trajnime gjithashtu në fusha të ndryshme të jetës. Pas 6.000 ekspertëve kinezë që lanë Shqipërinë pas prishjes zyrtare të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve, 142 projekte “ngrinë”. Nga ana tjetër, u mësua se Nju-Delhi mund të vizitohej gjithashtu dhe nga një delegacion shqiptar i një niveli të lartë që në përbërje të tij pritet të ketë personalitete të larta të partisë dhe qeverisë. Shqiptarët thuhet gjithashtu se kanë shprehur dëshirën për të mirëpritur një delegacion indian në Tiranë. Megjithatë, Nju-Delhi zyrtar nuk bëri asnjë koment lidhur me informacionin e sipërpërmendur. Për këtë arsye, interesi i Indisë në afrimin me Shqipërinë, në pikëpamje të marrëdhënieve të Nju-Delhit si me Kinën ashtu edhe me Bashkimin Sovjetik (që shumë shpejtë pritet të vizitohet dhe nga ministri i Punëve të jashtme të Indisë, Vajpayee), mbetet ende një enigmë e madhe. Pekini dhe Moska nga ana e tyre, janë pa dyshim, duke vëzhguar me shumë maturi qasjen e Shqipërisë për të kërkuar një aleat të ri. Momentalisht, marrëdhëniet shqiptaro-indiane janë më shumë të ftohta. Marrëdhëniet diplomatike, të cilat mezi kanë kapërcyer nivelin e marrëdhënieve protokollare janë mbajtur gjatë gjithë kësaj kohe nga ambasadat indiane në Irak dhe Romë. Megjithatë, pritet që shqiptarët të kërkojnë dhe t’u lejohet që tashmë të kenë dhe ata përfaqësinë e tyre diplomatike në Nju-Delhi.

Italia

Një delegacion italian, i drejtuar nga ministri i Tregtisë me Jashtë, Rinaldo Osola, nuk ka shumë që është kthyer nga një vizitë dyditore nga fqinjët e vegjël përtej Adriatikut. Kjo ishte vizita e parë e një ministri të kabinetit të qeverisë italiane që prej Luftës së Dytë Botërore. Italianët dhe shqiptarët kishin prej vitesh vetëm takime të nivelit të ulët, por Shqipëria kërkoi të shpeshtonte kontaktet pas ndërprerjes përfundimtare të marrëdhënieve ekonomike dhe ushtarake me aleatin e saj kryesor, Kinën. Gjatë takimeve dypalëshe, udhëheqësit shqiptarë i thanë delegacionit italian se ata po përpiqeshin të rrisnin tregtinë me Evropën Perëndimore, por nuk do të pranonin hua nga vendet “kapitaliste apo revizioniste”. Një zyrtar shqiptar, i cili informonte dhe reporterët italianë që shoqëronin delegacionin, tha se “ndërsa Shqipëria kishte zgjedhur të qëndronte jashtë orbitës së ‘superfuqive kapitaliste ose socialimperialiste’, kjo nuk do të thoshte se ajo kishte zgjedhur të qëndronte e izoluar”. Një tjetër shenjë që tregon se Shqipëria, një vend me sipërfaqen e Merilendit në SHBA (2.4 milionë banorë), është gati të zbusë izolimin e saj të vetëvendosur, përfshirë shkëmbimin e vizitave të ministrave të kabinetit shqiptar dhe atij grek. Linja shtetërore e fluturimeve ajrore, “Olympic”, tashmë ka nisur një fluturim javor Athinë-Tiranë.

Prishja me Kinën

Diplomatët spekulojnë se Shqipëria është prekur nga humbja e ndihmës kineze, për të cilën Pekini thotë se gjatë 24 viteve arriti në total pesë miliardë dollarë amerikanë. Aleati aziatik i ndërpreu të gjitha ndihmat për Shqipërinë korrikun e kaluar. Shqipëria u shndërrua në një satelit të Bashkimit Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore, por u prish me Kremlinin në vitin 1961 dhe ia ofroi besnikërinë e saj Pekinit. Marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë nisën të prisheshin kur Kina nisi të përmirësonte lidhjet e saj me vendet perëndimore. Pas Kinës, Italia u rendit si një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, edhe pse shkëmbimet e ndërsjella arrinin shifra modeste (17 milionë $ në secilin drejtim, 1977). Duke qenë se në këto takime Shqipëria refuzoi të merrte hua, nuk pritet ndonjë rritje dramatike në tregtinë ndërmjet këtyre fqinjëve. Vendi i vogël komunist, Shqipëria i kërkoi vendit më të madh komunist, Kinës, të dilte njëherë e përgjithmonë nga aleanca e përbashkët më 25 korrik 1977. Pas 16 vitesh “miqësie të pathyeshme”, gjatë së cilës Shqipëria mori miliona dollarë nga ndihma kineze, qeveria shqiptare i kërkoi ambasadës kineze në Tiranë, që ekspertët kinezë që punonin atje, të largoheshin menjëherë me të përfunduar kontratat e tyre të punës, - thonë burime diplomatike nga Beogradi. Dhe kinezët janë bërë gati për t’u larguar. Dikur ata ishin mbi 7.000, ndërsa vëzhguesit në Tiranë tani mendojnë se ata nuk i kalojnë dy mijë e ndofta, mund të jenë dhe më pak se 700. Tashmë ata i sheh gjithnjë e më rrallë në hotele, restorante dhe kampe pushimesh në vendin e bukur malor që qëndron si pykë ndërmjet Jugosllavisë dhe Greqisë. Disa prej përkthyesve kinezë që studiojnë gjuhën shqipe, u kanë thënë studentëve të tjerë të huaj se shumë shpejt do të kthehen në Kinë përfundimisht.

Ky lajm është publikuar: 06/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›