E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishja me Shqipërinë, Kina “dorëzohet”, pranon ndihmat nga jashtë

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Pekin, 1 nëntor 1979 – Pas dy dekadash refuzimi të gjithçkaje që i ngjante një lëmoshe nga jashtë, Kina ka pranuar më në fund një ndihmë fillestare prej 15 milionë dollarësh nga Kombet e Bashkuara dhe pritet të marrë dhe donacione të tjera. Nëse Kina këmbëngul që të marrë pjesën e plotë të ndihmës nën një formulë të veçantë shpërndarjeje, diplomatët këtu thonë se vendi komunist do të kapërcejë menjëherë në krye të listës së Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara dhe do të krijojë një mundësi në rritje për përthithjen e fondeve të huaja të ndihmës. Pekini është duke negociuar gjithashtu me Tokion për marrjen e huave më shumë se 8 miliardë dollarëshe me afat të gjatë shlyerjeje dhe me interes të ulët gjithashtu, hua të cilat Kina i kishte refuzuar kur pretendonin se ishin sponsorizuesit e vendeve të tjera në zhvillim. “Ky ka qenë një zhvillim shumë i shpejtë këto 6-9 muajt e fundit, nga një kontribuuese në përthithëse të huave”, - thotë Nesim Shallon, i pari përfaqësues rezident i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kinë. Zyrtarët e OKB-së thonë se bisedimet për ndihmën financiare dhe teknike për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe ngarkesën e parë me ushqim për Kinën pritet të mbahen së shpejti. Ndihma me vlerë 500 mijë dollarë e siguruar nga komisionari i lartë i Emigracionit për KB-në do të mbërrijë së shpejti dhe pritet të ndihmojë 250 mijë refugjatë të ardhur nga Vietnami në Kinën Jugore. Diplomatët konstatuan se kjo ndihmë është krejt ndryshe nga pranimi i ndihmës për popullatën e vetë të Kinës. Pekini i ka qëndruar besnik mospranimit të ushqimit për popullin e tij edhe në rastet e katastrofave natyrore, si ajo e tërmetit të 1976-ës. Kinezët kanë treguar shumë rrallë ndjeshmëri kur u është përsëritur se kanë braktisur politikën e tyre të vetëbesimit, politikë që u krijua, pasi Moska ndërpreu ndihmën e Bashkimit Sovjetik 20 vjet më parë. Kinezët këmbëngulin se ata po e marrin ndihmën e programeve të Kombeve të Bashkuara vetëm sepse kanë kontribuar në të prej vitesh. Shalloni tha se ai e admiron programin e qeverisë kineze të ndihmës, i cili ka “ndihmuar rreth 50 shtete në Afrikë dhe në mënyrë të veçantë në Azi”. Por këto dy vitet e fundit, Kina i ka dhënë fund virtualisht disave prej programeve të saj të ndihmës, përfshirë dhe ndihmën ndaj Shqipërisë dhe Vietnamit. Kina tashmë prej tre vjetësh ka nisur negociatat tregtare me Amerikën. Kjo lëvizje u bë pas ardhjes në pushtet të Hua Kuo Fenit. Në tetor 1976, një pjesëtar i një delegacioni të lartë tregtie amerikan, pati një takim me ministrin kinez të Tregtisë me Jashtë. Ai tha se ministri kinez i Tregtisë me Jashtë, Li Çiang, i cili u takua me delegacionin amerikan katër ditë pasi kishte ndodhur përjashtimi i katër radikalëve, i kishte thënë se Kina do të vazhdonte të ndiqte planin e saj për modernizimin gjithëpërfshirës deri në vitin 2000. Këto lëvizje do ti kushtonin dhe aleancën me aleatin e saj të vogël, Shqipërinë. Pekini thotë se gjatë 24 viteve të miqësisë me Tiranën ndihma arriti në total pesë miliardë dollarë amerikanë. Aleati aziatik i ndërpreu të gjitha ndihmat për Shqipërinë korrikun e një viti më parë. Shqipëria u shndërrua në një satelit të Bashkimit Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore, por u prish me Kremlinin në vitin 1961 dhe ia ofroi besnikërinë e saj Pekinit. Marrja e 15 milionë dollarëve nga Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara, është shumë më tepër se 6 milionëshi që ata kanë kontribuar për të njëjtin program këto shtatë vitet e fundit. Shumica e këtij kontributi u shpenzua brenda territorit të Kinës, në programe të tilla ku Kina ftoi teknikët e Botës së Tretë për të studiuar metodat kineze në mirëmbajtjen e kamionëve, akupunkturë dhe mjeshtëri të tjera. “Ne këmbëngulim ende në politikën e vetëbesimit në ekonomi po aq sa edhe është e mundur për të shmangur shpenzimin e shumave të mëdha valute të fortë jashtë vendit, por nëse ndihma do të ofrohet në këtë mënyrë, pra pa kushte, atëherë do të ishte një budallallëk nga ana jonë po të mos e pranonim”, - u shpreh një zyrtar kinez. Kinezët kanë akomoduar Shallonin dhe një staf të vogël të programit të tij në një ndërtesë me 20 dhoma, që më parë ka shërbyer si Ambasada Jugosllave. Administratori i Programit të zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, Bradford Morse, nisi zyrtarisht punën më 4 shtator, atë që ai e quajti “zyra e 109 e programit”. Zoti Morse e përshkroi si një “proces dydrejtimësh, në të cilin do të kontribuonin si Kina, ashtu edhe PZHKB-ja”. Shalloni renditi një sërë projektesh modeste, të cilat do të financoheshin që në vitin e parë të Programit, përfshirë dhe punën për zhvillimin e kullotave në Kinën Veriore, atje ku mungesa e mbjelljes së foragjereve ul ndjeshëm numrin e gjethit. Paratë e Kombeve të Bashkuara do të ndihmojnë gjithashtu dhe në përmirësimin e analizës kineze të motit e mbledhur nga puna e pamasë e stacioneve meteorologjike. Të tjera projekte do të kërkojnë përmirësime në metodat e kualifikimit të gjuhës dhe në shërbimet e përpunimit të të dhënave qeveritare të qytetit të Pekinit.
Ky lajm është publikuar: 25/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›