E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina – Trepça në finale

Sigal Prishtina dhe Trepça do të përballen në finalen e Kupës së Kosovës në basketboll, takim ky që zhvillohet të dielën prej orës 21:00 në Mitrovicë.

Prishtinasit u plasuan në finale për të pestën herë rresht pasi e eliminuan të premten Bashkimin në gjysmëfinale, duke e mposhtur me rezultat 104:82.

Të njëjtën gjë e bëri edhe Trepça, e cila fitoi po të premten ndaj Pejës, me rezultat 82:79

Në të dyja ndeshjet gjysmëfinale të zhvilluara në Mitrovicë, lojtarët e këtyre katër skuadrave kanë bartur shirita të zi në shenjë nderimi për të ndjerin Isuf Lumi, sekretarin e përgjithshëm të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), i cili ka ndërruar jetë të enjten.

Sigal Prishtina – Bashkimi 104:82

Sigal Prishtina është skuadra e parë që e ka siguruar pjesëmarrjen në finale të Kupës së Kosovës, pasi të premten në Mitrovicë e ka mposhtur në ndeshjen e parë gjysmëfinale, pretenduesin për titull të kampionit dhe Kupë, Bashkimin, me rezultat të thellë, 104:82.

Në këtë ndeshje, për Sigal Prishtinën debutuan edhe dy përforcimet e saj, amerikani Alex Carcamo dhe kamerunasi Gaston Essengue.

Forcat në parket në çerekun e parë të takimit ishin thuajse të barabarta, sepse kjo pjesëlojë ka përfunduar me rezultat 25:21 për Sigal Prishtinën.

Edhe në çerekun e dytë, ekipi i Arben Krasniqit ishte më i fortë sesa ai portokalli, pasi Sigal Prishtina këtë çerek të lojës e përmbylli me rezultat 23:18 ndaj Bashkimit, përkatësisht me rezultat të përgjithshëm, 48:39.

Mirëpo, në çerekun e tretë, prishtinasit ishin të papërmbajtshëm për prizrenasit. Këtë çerek loje Sigal Prishtina e përmbylli me rezultat 32:14, respektivisht me rezultat të përgjithshëm 80:53.

Ndërsa, në çerekun e fundit të takimit, Bashkimi ishte më efikas duke shënuar 29 pikë ndaj Sigal Prishtinës, derisa kjo e fundit i realizoi 24 sosh. Megjithatë, Sigal Prishtinës i takoi fitorja, duke e përmbyllur këtë ndeshje me rezultat përfundimtar 104:82.

Lojtari më i disponuar i prishtinasve në këtë takim ishte kapiteni Edmond Azemi me 29 pikë, kurse për Bashkimin lojtari më efikas ishte Enes Haxhibulliq, me 26 pikë të shënuara.

Trepça – Peja 82:79

Pas Sigal Prishtinës, edhe Trepça e ka siguruar plasmanin në finale të Kupës së Kosovës në basketboll.

Mitrovicasit të premten mbrëma e kanë mposhtur në shtëpi Pejën në ndeshjen e dytë gjysmëfinale me rezultat 82:79.

Kështu, Trepça kaloi në finale më me vështirësi sesa që është pritur nga ballafaqimi me Pejën, e cila në këtë edicion të garave nuk kanë pasur ambicie për ndonjë trofe.

Në dallim prej pejanëve, gjelbërezinjtë janë favoritë kryesorë me Sigal Prishtinën për ta fituar Kupën, por edhe titullin e kampionit në këtë edicion. Për këtë të fundit kandidatë është edhe Bashkimi i Prizrenit, i cili synonte edhe Kupën, por që u eliminua në gjysmëfinale nga klubi kryeqytetas.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›