Nesër Raporti i Brukselit/“Shqipëria progres, por ngërçi politik pengoi reformat”

Komisioni Europian pritet që nesër të prezantojë progres-raportin e tij për vendet që aspirojnë statusin e kandidatit ose të nisin bisedimet për anëtarësim. Në progres-raportin e Shqipërisë për vitin 2011, thuhet se “vendi ka hedhur hapa të rëndësishëm drejt integrimit, por bllokimi politik ka qenë prezent që prej zgjedhjeve të fundit elektorale”. Raporti i cili pritet t’i dorëzohet autoritete shqiptare nesër në mesditë përmbledhë të gjithë ciklin e reformave të Shqipërisë përgjatë një viti, ndërsa një vëmendje e veçantë i kushtohet 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, që prej vitit të kaluar. “Shqipëria ka bërë “përparim të kufizuar” në mes të një bllokimi politik nga zgjedhjet e fundit elektorale”, thuhet mes të tjerash në progres-raport. Në këtë përmbledhje të votuar nga “EuObserver” flitet edhe për Malin e zi, Maqedoninë dhe Bosnje-Hercegovinën”. Kosova së bashku me Islandën cilësohen si dy raste speciale. Në raport thuhet se Kosova nuk mund t’i bashkohet BE-së, deri sa të 27 vendet ta njohin atë si shtet. Raporti shkruan gjithashtu se KE e sheh Kosovën si një vend me ekonomi dhe siguri të lëkundur. “Papunësia në Kosovë është më e larta në Evropë dhe se nevojitet shumë punë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”. Për Serbinë, anëtarësimi është ende larg, kur dihet se në dhjetor Gjermania do të bllokojë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Serbinë për shkak të mbështetjes që ajo i jep grupeve paramilitare në veri të Kosovës. Vendimi do të merret nga një grup komisionarësh, ndërkohë që vazhdon presioni ndaj Beogradit për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. BE ka përgëzuar Serbinë pas kapjes së të shumëkërkuarve për krime lufte si Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç, megjithatë ende nuk dihet nëse Brukseli do t’i hapë dritën jeshile Serbisë. Për sa u përket aspirantëve të tjerë të Ballkanit që kërkojnë të aderojnë në BE, Kroacia sipas raportit, “mund” t’i bashkohet BE-së në 1 korrik të vitit 2013. Por nga ana tjetër, zyrtarët e BE-së do të dërgojnë një mision special për të monitoruar përpjekjet që bëhen në luftën kundër nivelit të lartë të korrupsionit. Mali i Zi dhe Maqedonia janë në krye të listës për sa i përket progresit në reforma. Por komisioni nuk thotë nëse dy kandidatët për në BE mund të nisin bisedimet. Bosnja cilësohet si një shtet i “paralizuar dhe ku mbizotëron konfrontimi” mes serbëve etnikë dhe myslimanëve”. Në Turqi mbetet ende problematik garantimi i të drejtave themelore dhe liria e shprehjes. Mësohet se KE do t’i kërkoje këtij vendi të ndalë dhunën ndaj gazetarëve. “Në Turqi ka mungesë të lirisë së shprehjes. Është rritur numri i rasteve kundër gazetarëve dhe numri i atyre që mbahen të burgosur”. Në kapitullin për Turqinë thuhet: “me gjithë progresin e bërë në 10 vitet e fundit, kërkohen përpjekje edhe më të mëdha në të drejtat themelore, për sa i përket lirisë së shprehjes”. Ndërsa Islanda cilësohet si një vend i BE-së dhe kjo për standardet e arritura. Por gjithashtu vihet re, se anëtarësimi në BE, mbetet një çështje e debatueshme, pasi ekziston ende besimi se islandezët do ta refuzojnë unionin, nëse zhvillohet referendum mbi anëtarësimin.
...