Prishtina: Rezoluta 12 44 e Këshilli të Sigurimit nuk përkon me realitetin e Kosovës
Zyrtarët e Kosovës besojnë se vendimi pozitiv i GJND-së do të shtyjë përpara zëvendësimin e Rezolutës 12 44. Rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit nuk përkon me realitetin në Kosovë, kanë thënë përfaqësuesit politik në Prishtinë. Kështu, ata mbështesin kërkesën zyrtare që ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka parashtruar para Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Mun dhe Këshillit të Sigurimit për zëvendësimin e kësaj rezolute. Zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku, thotë se për Kosovën tani duhet miratuar një rezolutë e re, e cila do të ishte në harmoni me statusin e saj, si shtet i pavarur. “Zëvendësimi i saj me një rezolutë të re, do të reflektonte gjendjen, situatën e re në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, e posaçërisht tani pas opinionit të GJND-së lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës”, - thotë Çitaku. Zëvendësimin e Rezolutës 12 44 apo shfuqizimin e saj, Çitaku e sheh si një sfidë jo të lehtë, marrë parasysh përbërjen që ka Këshilli i Sigurimit, sidomos te vendet e përhershme anëtare, ku bën pjesë edhe Rusia, si një vend që ka kundërshtuar në vazhdimësi pavarësinë e Kosovës. “Normalisht që ne jemi të vetëdijshëm që në Këshillin e Sigurimit, karshi mbështetësve, Kosova i ka edhe oponentët e saj, dhe jemi të vetëdijshëm që ky nuk do të jetë një proces i lehtë, megjithatë ne mendojmë që kjo është gjëja e drejtë për të bërë”, - thekson Çitaku. Ndërkohë, opozita në Prishtinë, edhe pse e sheh pozitive kërkesën për shfuqizimin e 12 44-shit, megjithatë tërheq vërejtjen për gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale në vend. Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini thotë se ndryshimi i gjendjes brenda Kosovës mund t’i shtyjë më lehtë përpara edhe vendimet e mëdha në Nju-Jork.“Nuk është keq që Kosova të kërkojë zyrtarisht një gjë të tillë. Këshilli i Sigurimit është organ i Kombeve të Bashkuara, ku ne synojmë që të jemi pjesë. Mirëpo, Kosova duhet të përballet me situatën e brendshme”. Kosova nuk mund të jetë një katastrofë brenda dhe ta ketë paraqitjen e mirë jashtë. Nuk shkojnë këto gjëra bashkë për shkak se ata njerëz në Këshillin e Sigurimit i lexojnë raportet, të cilat tregojnë se ka korrupsion, ka krim të organizuar, se mediat shtypen, se ekonomia është në rënie. Andaj, çfarëdo prezantimi i secilit ministër jashtë, është qesharak, ngase nuk mund t’i hedhin hi syve askujt”, - është shprehur Gjini.
EULEX-i shqyrton 6 raste të kontrabandës në veri të Kosovës
Misioni evropian për sundimin e ligjit ka nisur së shqyrtuari 6 raste që kanë të bëjnë me krimin dhe kontrabandën në veri të Kosovës. Paralajmërimet se do të hetohen rastet e krimit dhe në veri të Kosovës, duket të kenë nisur zë zbatuari në praktikë. Kryeprokurori Johanes Van Vrisvijk ka mbajtur një takim dje në Mitrovicë, për t’i shqyrtuar 6 rastet serioze nga 25, sa po hetohen në lidhje me krimin e organizuar dhe kontrabandën në veri. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi. Ndërkohë, drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica ka deklaruar se janë identifikuar personat fizikë apo kompanitë, që kanë futur mallra të kontrabanduara përmes pikave kufitare në veriun e Kosovës. “Në baza ditore ne kemi marrë të dhëna se çka ka hyrë dhe se çka është zhdoganuar. Realisht aty është vërejtur se në vazhdimësi kemi pasur një diferencë po them, minus, të atyre dërgesave që janë futur përmes pikave kufitare, por nuk janë paraqitur në terminalin doganor në Mitrovicë, pra nuk kanë ardhur për zhdoganim. Kështu që ndaj të gjitha këtyre rasteve, ne kemi përgatitur edhe lëndë për t’i ndjekur ata”, - ka thënë Huruglica. Në vendkalimet kufitare në veri, përkatësisht në Portën 1 dhe 31, mallrat nuk zhdoganohen, por vetëm regjistrohen. Zhdoganimi i tyre bëhet në terminalin doganor, që gjendet në jug të Mitrovicës. Por, siç ka thënë vetë Huruglica, jo i gjithë malli që hyn nga këto pika zhdoganohet në këtë terminal. Ai ka sqaruar se Dogana ua ka dërguar lëndët për kontrabandë eventuale organeve të drejtësisë në Kosovë, përfshirë dhe EULEX-in.
4 Gusht 2010