Thaçi: “Kosova është plotësisht e pavarur, qendrimi i Serbisë nuk do të ketë rezultat”
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në një intervistë ekskluzive për BBC-në ka theksuar se idetë e presidentit serb Boris Tadiç për negociata mbi statusin e Kosovës janë krejtësisht të parealizueshme dhe se Kosova tashmë është 100 për qind e pavarur. Kryeministri Thaçi deklaroi se shteti i Kosovës mund të ketë bashkëpunim shtetëror me Serbinë, por në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim nuk do të ketë bisedime për çështje të brendshme. Ndërkaq, ai bëri me dije se është në kontakt të vazhdueshëm me vendet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.
Vendimi
“Prezantimi i opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare për statusin e Kosovës, ishte shumë i qartë, plotësisht në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, në përputhshmëri me vendimin e institucioneve për të shpallur Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Ai ishte fitore historike e diplomacisë kosovare dhe e institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ishte kulmi i angazhimeve dhe i një njohjeje ndërkombëtare për shtetin tonë, duke i treguar gjithë botës se shpallja e Kosovës shtet ka qenë në përputhshmëri të plotë edhe me vullnetin e popullit edhe me të drejtën ndërkombëtare”, - theksoi kryeministri Thaçi, duke deklaruar se tani është hapur një kapitulli ri për shtetin e Kosovës, kapitulli i konsolidimit dhe i forcimit të shtetit, i vazhdimit të njohjeve të reja dhe procesi i integrimit në NATO, në BE, dhe në OKB. Kryeministri Thaçi u shpreh se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran njëqind për qind. Ai nënvizoi se Kosova është njohur nga shtetet më të fuqishme të botës dhe tashmë është pjesë e Bankës Botërore, e FMN-së, dhe së shpejti do të jetë pjesë e BERZH-it. Rezolutën e Serbisë për mosnjohjen e shtetit të Kosvës, Thaçi e ka cilësuar një veprim nervoz dhe kryeneç që nuk do të japë rezultate.
Serbët e Veriut të Kosovës
Kryeministri Thaçi deklaroi se serbëve të Veriut të Kosovës i kanë prezantuar idetë e tyre të reja, siç është hapja e zyrës së Republikës së Kosovës në veri, shërbimet e së cilës mund t’i shfrytëzojnë të gjithë qytetarët. Së shpejti do të hapet edhe gjykata në veri, do të fillohet me procedimin e rasteve konkrete. Ai informon se atje do të vazhdohet me krijimin e komunës së re, organizimin e zgjedhjeve të lira në tri komuna të tjera, por edhe me vazhdimin e politikave tona socio-ekonomike, për rritjen e mirëqenies në atë pjesë. “I vetmi plan për këtë pjesë është dokumenti i presidentit Ahtisari dhe strategjia që e kemi prezantuar si institucione të Republikës së Kosovës”, - u shpreh Thaçi. Sipas tij, në planin e brendshëm do të hapet perspektiva e konsolidimit dhe e forcimit të shtetit, zhvillimit ekonomik, hapjes së vendeve të reja të punës, e sundimit të ligjit dhe e qeverisjes së mirë, e luftës së pakompromis kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Thaçi bëri me dije se së shpejti do të ketë veprime edhe në veri të vendit kundër kontrabandistëve multietnikë.
4 Gusht 2010