E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina, arenë e reperëve

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina ka qenë arenë e reperëve këtë fillim vit. Por, me kalimin e kohës pritet që edhe yje të rinj të vinë në Kosovë. Kymani Marley është në radhë bashkë me Sister Bliss. E Shakira për sivjet nuk pritet të jetë në Kosovë. Nga Ardian Jasiqi më 12 korrik 2011 në ora 15:14

Prishtina në gjysmën e parë të vitit 2011 mund të njihet edhe për diçka tjetër. Për sjelljen e disa yjeve të rapit në botë. Lirikat e ndryshme të Busta Rhymes kanë ndezur shumë publiku, kurse të “xhumanë” xhemati nuk zgjodhi të protestojë për xhami pasi që ia mësyu një skene të improvizuar, ku këndonte Lloyd Banks, i cili i nxehi shumë adhuruesit e tij në Prishtinë.

Të dy dhanë lëvdata për Prishtinën.

Në koncertin e parë, Busta Rhymes kishte luajtur disa herë me data, por në fund kishte vendosur që ta vizitojë Kosovën.

Kurse në ditën e koncertit të tij, dorën në zemër, reperi amerikan kishte mbajtur për rreth 2 orë muzikë dhe anulimin e koncertit të parë ua shpërbleu organizatorëve dhe njerëzve të cilët e kishin pritur deri në orët e vona të natës.

Të gjithë ishin paksa skeptikë për këtë koncert, megjithatë Busta pas koncertit kishte qëndruar edhe me organizatorët, nuk kishte hezituar që të japë nënshkrime për të pranishmit në koncert në një after-party që ishte organizuar më vonë.

Dhe skena e repit përsëri doli në shesh. Kësaj radhe ishte Lloyd Banks. Edhe ai ishte shumë “in”. Këndoi dhe ia doli shumë mirë. Për Lloyd’in pati thashetheme se disa reperë kosovarë mund të bashkëpunojnë më të. Edhe nuk është çudi sepse Kosova megjithatë ka reperë që kanë dëshmuar se dinë t’ia thurin mirë lirikave – edhe pse shpeshherë pa kuptim.

Se Kosovën reperët amerikanë e shohin si një destinacion të preferuar, e kishte treguar që në vitin 2007, kur atë e kishte vizituar 50 Cent. Koncerti edhe pse ishte zhvilluar nëpër acar dhe nën një temperaturë -15 gradë, kishte nxehur zemrat e shumë adhuruesve të reperit, të cilën e pritën atë deri në orët e vona të natës.

Normalisht, këtë kënaqësi shqiptarëve ua kishte ofruar kompania telefonike IPKO, por nuk duhet harruar se edhe Busta Rhymes dhe Buena Vista Social Club dhe Morcheeba ishin disa nga koncertet që kishte financuar kjo kompani. Të gjithë ishin koncerte të suksesshme.

E tëra nuk mbetet me kaq.

Në korrik pritet që në Kosovë të vijë njëri prej djemve të këngëtarit të njohur të muzikës regea, Bob Marley. Ai është KyMani Marley, që do të sjellë ritme xhamajkase të muzikës së zezë.

Ndërkaq, nëpër klube të ndryshme nuk kanë së reshturi edhe DJ të njohur nga e gjitha bota. Në një “open air party” pritet që skena e muzikës elektronike të kulmojë me Sister Bliss.

Eh...kjo nuk është e tëra...Disa organizatorë premtuan që në Kosovën ta “dridh pak me vallëzimin e saj edhe Shakira”, por organizatorët siç duket nuk u treguan edhe aq vigjilentë. A do të vijë ajo – ku i dihet – por gjasat janë të vogla.

Në fund, përpos ndërtimeve pa leje dhe disa gjërave tjera, Kosova po shquhet edhe me muzikë. Pas ardhjes së këtyre yjeve, ndoshta viteve tjera të rinjve të shumtë të Kosovë mund t’u këndojë edhe sensacioni i shekullit 21, Lady GaGa. Jetojmë në Evropë. E meritojmë edhe Lady GaGa’n, sepse jemi popullsia me e re në gjithë botën!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›