E Shtunë, 31 Tetor 2026

1001 shpikjet myslimane

Në Los Angeles po shfaqet ekspozita e quajtur ‘1001 Shpikjet’, që prezanton arritjet shkencore të botës myslimane. Ekspozita paraqet një kronologji të periudhës së artë të shkencës në botën islamike, që zgjati mes shekullit të shtatë dhe atij të 17. Ekspozita deri më tani është vizituar nga mbi një milionë vizitorë. Nga Express më 12 korrik 2011 në ora 12:00

Cila është fshehtësia që qëndron prapa mënyrës se si ne i shkruajmë numrat? Kur nga shkencëtarët u zbulua për herë të parë se si shohin njerëzit? Kush e vizatoi hartën e parë që tregon se si duket Amerika? Cila është domethënia e fshehtë e Orës së Elefantit?

Përgjigjen në këto, dhe shumë pyetje të tjera, e ofron ekspozita e 1001 Shpikjeve, më e madhja e këtij lloji që prezanton ndikimin e kulturës myslimane ndër shekuj në zhvillimin e botës. Përndryshe, ekspozitën në California Science Center, në Los Angeles, e ka inauguruar sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, dhe ajo do të qëndrojë e hapur deri më 31 dhjetor 2011.

Matematika, mjekësia, arti, shkenca...

Sistemi perëndimor i numrave, i cili u përhapë nga matematikanët myslimanë, është vetëm njëri prej shumë kontributeve që bota mesjetare myslimane - një civilizim ku që asokohe shtrihej nga Spanja e deri në Kinë – ia dha njerëzimit. Drejtuesi egjiptian i teknologjisë së lartë, Vael Gonim, i cili punon për kompaninë Google, ishte ndër ata që u ndalën për të parë qendrën shkencore.

Ai po qëndron në Shtetet e Bashkuara për të pranuar çmimin e guximit, që iu nda nga Fondacioni i Bibliotekës John F. Kennedy. Çmimin, që iu dorëzua në bibliotekën presidenciale, Gonim e pranoi në emër të popullit egjiptian. Në fakt, Gonim ishte njeriu që e ndihmoi fillimin e revolucionit si pasojë e të cilit, pas 18 ditë protestash, u përmbys presidenti egjiptian, Hosni Mobarak.

"Rrjetet social dhe interneti, pra teknologjia në përgjithësi, ishin udhërrëfyesit që nxitën revolucionin në Egjipt. Kjo tregon se si mund të përdorësh teknologjinë për diçka të mirë, e që teorikisht dukej gjë e pamundur në të kaluarën", pohoi ai.
Gonim sqaroi se, teknologjia e re përdorej gjerësisht në Egjipt, dhe se atje lidhjet personale janë një gjë etjet e rëndësishme. Si pasojë, u shpreh ai, bisedat në faqet sociale si Facebook u shndërruan në një mjet politik për të rinjtë egjiptianë.
"Ata e përdorën internetin si mënyrë për të shprehur mendimet e tyre, dhe si rrugë për të bashkëpunuar dhe për të organizuar vetveten, për t’i thënë jo padrejtësisë, torturave dhe korrupsionit", u shpreh ai.

Ekspozitat edhe në Londër, Stamboll e New York

Ekspozita e shkencës, e cila më parë u shfaq në Londër, Stamboll dhe New York, në të vërtet sqaron përparimet shkencore në botën myslimane, në fushat si mjekësia, ku mjekët myslimanë përdornin instrumente moderne kirurgjike qysh njëmijë vjet më parë. Vizitorët mundën të mësonin edhe rreth shpikësve tjerë mysliman, si Abbas Ibn Firnas, i cili në shekullin e nëntë krijoi një aeroplan pa motor.

Profesori Maurice Coles, i cili ligjëron lëndën e shpikjeve myslimane, këtë etapë e quan si periudhë të parë globale.

"Ke aty njerëz të çdo besimi, të çdo prejardhjeje, të pothuajse çdo kulture dhe ngjyre, të cilët punojnë së bashku për një qëllim. Dhe kur e shikon ekspozitën përreth, ti sheh të krishterë dhe, sigurisht, edhe myslimanë. Por aty ka edhe hindu, është edhe një një grup tjetër, i quajtur sabean, i cili nuk ekziston më... Mirëpo, të gjithë ata koekzistuan shumë mirë për një periudhë të gjatë kohore", thekson Coles.

“Njerëz të veshur me kostume të kohës i sjellin në jetë dhe i shpjegojnë shpikjet e tyre. Pamjet interaktive ndërkaq shfaqin përparimet në fushat si arti dhe arkitektura. Dhe, i gjithë ky lum idesh vjen në një kohë interesante në Evropë”, thotë Diane Perlov, nga Qendra Shkencore.

"Ishte kjo vërtet një periudhë e frytshme për artin dhe shkencën. Pra, në mesjetë, atëherë kur Evropa ende ndodhej në atë që konsiderohet periudhë e errët e saj", pohon Perlov.

Në protestat e fundit në Sheshin Tahrir, të Kajros, egjiptianët përdorën internetin dhe telefonat celularë me kamera digjitale.

"Në botën e sotme, kur teknologjia po i mbyllë të gjitha hendeqet, duhet të kuptojmë se të gjithë ne jemi njësoj, gjegjësisht, se kemi më shumë gjëra të përbashkëta se sa të ndryshme. Ka ardhur koha që ta pranojmë këtë. Gjithkush ka një rol të vetin në këtë botë, me qëllim që të bashkohemi me njëri-tjetrin", përfundon ajo.

Dhe vërtet, edhe në qoftë se nuk do të sjell një periudhë të re të artë, Gonim pohon se teknologjia do të ndihmojë botën që të përmirësohet dhe të shndërrohet në një vend më të mirë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›