E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina dhe Beogradi dorëzojnë dosjet në Hagë

Hagë -Prishtina dhe Beogradi dorëzojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës argumentet e tyre lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Në emër të Prishtinës, dokumentin qindra faqesh, në të cilën janë përmbledhur të gjitha argumentet në mbështetje të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, do ta dorëzojë, kryesuesi i ekipit ligjor, juristi britanik Micheal Wood.

Institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë hollësi për përmbajtjen e këtij dokumenti derisa ai t’i dorëzohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por burime qeveritare i kanë thënë BBC-së se në përpilimin e tij kanë punuar ekspertë të shquar vendorë e ndërkombëtarë.

Zyrtarët kosovarë thonë se kanë një mbështetje të madhe nga vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe janë të bindur se Prishtina do ta fitojë betejën në Gjykatë kundër Beogradit. Sipas tyre, pavarësia e Kosovës ka qenë e ligjshme dhe ajo në asnjë mënyrë nuk mund të zhbëhet.

Ndërkohë, edhe Beogradi ka përgatitur dosjen që do t’i dorëzohet GjND-së në Hagë në përpjekje për të dëshmuar se, siç thonë zyrtarët serbë, “pavarësia e Kosovës ka qenë e jashtëligjshme”.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç i ka thënë televizionit shtetëror serb se drejtësia do të jetë në anën e Serbisë. Sipas tij, Gjykata e OKB-së do të konsiderojë pavarësinë e Kosovës si shkëputje të jashtëligjshme nga Serbia. I gjithë procesi për t’i kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të deklarohet nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, është iniciuar nga Serbia.

Në muajin tetor të vitit të kaluar, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së aprovoi kërkesën e Serbisë për t'i kërkuar mendimin gjykatës së Kombeve të Bashkuara nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme. Shtatëdhjetë e shtatë vende votuan pro, gjashtë kundër dhe 74 abstenuan. Pjesa më e madhe e vendeve të BE-së u përmbajtën nga votimi.

Kur procesi filloi, Kosova po bënte tetë muaj që kur funksiononte si shtet i pavarur dhe ishte njohur nga afër 50 shtete, duke përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Autoritetet në Hagë u kanë dhënë mundësinë edhe të gjitha shteteve anëtare të OKB-së, që janë të interesuara në këtë proces, t’i dorëzojnë argumentet e tyre ‘pro’ ose ‘kundër’ shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pritet që mbi 40 shtete të paraqiten me deklaratat e tyre në favor qoftë të Prishtinës apo të Beogradit. /bbc/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›