E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç mbërrin në manastirin e Deçanit

Prishtinë -Presidenti i Serbisë Boris Tadiç ka mbërritur sot në Kosovë, ashtu sikurse ishte parashikuar në një vizitë në zonat serbe brenda territorit kosovar. Ai është ndalur në Manastirin e Deçanit, një manastir i ndërtuar nga serbët gjatë kohës së pushtimit. Në këtë manastir po shënohet e premtja e madhe në prag të pashkëve ortodokse. Vizita e presidentit serb është bërë pas bisedës që Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Prishtinë, Pieter Feith ka zhvilluar me kryeministrin Hashim Thaçi, i cili ka përcjellë edhe qëndrimin e zyrtarëve më të lartë të BE që vizita të lejohet.

Lajmi i lejimit është konfirmuar edhe nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili i ka dërguar një letër përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar Piter Feith, duke e njoftuar atë se në konsultim me krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës, ka vendosur që të lejojë "hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës të Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç më 17 prill 2009".

Thaçi thotë se këtë vizitë e ka lejuar nga fakti se "ushtrimi i lirive fetare është i garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe duke pasur parasysh se Qeveria e Kosovës e konsideron këtë vizitë krejtësisht private dhe të natyrës fetare". Kryeministri i Thaçi tërheq vërejtjen se kjo vizitë është private dhe për arsye fetare, dhe "e njëjta nuk mund të përdoret për asnjë arsye tjetër".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›