Prishtina e Beogradi fillojnë bëtejën për Veriun e Kosovës
Prishtina dhe Beogradi kanë nisur një garë të ashpër për të derdhur fonde për serbët në pjesën veriore të Kosovës. Analistët thonë se edhe pse synimet e fondeve të dy kryeqyteteve dallojnë shumë, banorëve lokalë vështirë se do t’u përmirësohet jeta nga mjetet e zotuara. Joshja e serbëve për t’u integruar në institucionet e Kosovës, vlerësohet të jetë një nga qëllimet e Prishtinës zyrtare, e cila ditët e fundit ka ndarë 5 milionë euro për komunat veriore dhe tetë të tjera për komunat e reja me shumicë serbe në pjesët tjera të Kosovës. Por, përballë këtij investimi nuk ka ndenjur duarkryq qeveria e Serbisë, e cila doli kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese serbe, duke ua vazhduar shtesat në paga serbëve, që punojnë për organet paralele serbe në Kosovë. Analistët kosovarë thonë se nga kjo betejë e dy kryeqyteteve vështirë se do të përfitojnë banorët lokalë. “Kjo garë është për të shtrirë autoritetin institucional, për të ruajtur sovranitetin në pjesën veriore të Mitrovicës më shumë sesa që është një betejë për të ngritur cilësinë e jetës së qytetarëve atje. Gjithashtu është më tepër mediatike, publike, politike sesa pritet të ndikojë në terren”. “Institucionet e Kosovës më shumë kanë dhënë premtime, ndërsa duhet parë nëse projektet e deklaruara të Serbisë janë realizuar, sepse ekziston mundësia që aty të ketë keqpërdorime”. Në anën tjetër, analisti Arben Qirezi konsideron se ndarja e mjeteve nga ana Qeverisë së Kosovës është një përgjigje e duhur kundrejt ndërhyrjeve të Serbisë në veri. Por, ai ngre dilemën se si do të përdoret ky fond. “Problemi te këto investime vjen, se cili është efekti i tyre dhe kush do t’i shpenzojë ato mjete. Këto investime bëhen me shpresë se komunat në veri të vendit, banorët do të marrin pjesë në zgjedhje dhe sikur në pjesët tjera të vendit, serbët lokalë do të zgjedhin autoritetet legjitime komunale”. Investimet e tjera që vijnë nga Serbia, vijnë me qëllim që ta pengojnë këtë proces, jo domosdoshmërisht integrimin e serbëve, por pjesëmarrjen e tyre në institucionet e Kosovës dhe këtu qëndron çështja kyçe e destabilizimit të vendit. “Investimet tjera që vijnë nga Serbia, vijnë me qëllim që ta pengojnë këtë proces, jo domosdoshmërisht integrimin e serbëve, por pjesëmarrjen e tyre në institucionet e Kosovës dhe këtu qëndron çështja kyçe e destabilizimit të vendit”, thotë Qirezi. Politikanë serbë dhe qytetarë nga pjesa veriore e Mitrovicës kanë kundërshtuar fondin e Qeverisë së Kosovës për veriun, duke e parë atë si përpjekje për të blerë popullatën lokale. Por, autoritetet kosovare janë shprehur se synim kanë rritjen e standardit jetësor të banorëve serbë. Mirëpo, rritja e standardit jetësor, sipas Driton Lajçit, nuk
mund të bëhet në një ambient, ku mungon siguria dhe nuk ka sundim ligji.
Mediat serbe: Tadiç e pranon Kosovën me tre kushte
Presidenti serb Boris Tadiç kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ka deklaruar presidenca serbe. Deklarata vjen nga kabineti i kryetarit serb në kohën kur në media janë shtuar shkrimet se Tadiç është i gatshëm ta njohë shtetin e Kosovës nëse përmbushen disa kushte. Sipas gazetës kroate “Novi List”, e cila citon burime pranë përfaqësuesve diplomatikë serbë Tadiçi do ta pranojë shtetin e Kosovës nëse plotësohen tre kushte; “eksterritorialiteti i manastireve ortodokse serbe në Kosovë, status special për serbët në jug të lumit Ibër dhe vazhdim i status quo-s për veriun e Kosovës”. E përditshmja kroate thekson se në prag të debatit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së Serbia po i dërgon bashkësisë ndërkombëtare sinjale “të reja të ndryshme nga të mëhershmet dhe të papritura”.
Srebrenicë
Gjenden në tetë varre 120 skelete
15 vjet pas luftës së Bosnjës, Srebrenica vazhdon të mbajë të hapur plagët e masakrës në qytezën myslimane. Skeletet e mbi 100 njerëzve janë gjetur në 8 varre të përbashkëta. Varret gjenden në lokalitetin e Zalazjes jo shumë larg Srebrenicës ku në vitin 1995 rreth 8 mijë myslimanë u ekzekutuan nga serbo-boshnjakët. Sadik Selimovic i institutit boshnjak për personat e humbur tha se në 8 varre janë zbuluar skeletet e rreth 120 personave. Ende nuk bëhen të ditura detaje të tjera lidhur me këtë ngjarje, por pritet që trupat të vendosen së bashku me trupa të tjera të paidentifikuara.
Irak
Kryeministri Maliki vë alarmin, rrezik për sulme terroriste
Tri ditë para përfundimit zyrtar të misionit luftarak të ushtrisë amerikane në Irak, kryeministri irakian Nuri al Maliki shpalli shkallën më të lartë të alarmit në vend. Qeveria e tij ka informacione sipas të cilave rrjeti terrorist i Al Kaidës dhe ithtarë të ish-pushtetmbajtësit Sadam Hysein kanë planifikuar sulme, tha Maliki në Bagdad. Vetëm të mërkurën si pasojë e një vale terrori në Irak, humbën jetën 62 njerëz. Duke filluar nga data 1 shtator rreth 50 mijë ushtarët amerikanë të mbetur në Irak nuk do të marrin më pjesë në përleshjet luftarake në vend.
Afganistan
Talibanët sulmojnë bazat amerikane, vriten 21 militantë
NATO-ja njoftoi se ka vrarë 21 militanë në sulmin e djeshëm ndaj dy bazave ushtarake në provincën e Kostit. Forcat e koalicionit kanë kapur edhe pesë të tjerë. Katër ushtarë të NATO-s janë
plagosur, por nuk ka asnjë ushtar ndërkombëtarë të vrarë gjatë përleshjeve të sotme. Shefi i policisë rajonale, Abdul Hakim Ishakzia, tha se 48 militantë ishin përfshirë në dy sulmet e mëngjesit të së shtunës. Zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Muxhahid, tha se 18 ushtarë të huaj janë vrarë.
Rusi
Deri më 2018 do të ndërtohet një kozmodrom
Rusia do të nisë ndërtimin e një kozmodromi për anijet kozmike. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Vladimir Putin, i cili u shpreh se Rusia do të nisë anije kozmike nga territori rus deri në vitin 2018. Putin tha se është nevojë e Rusisë që të ketë kozmodromin e vet për anijet kozmike. Mendohet se infrastruktura për këtë qëllim do të ngrihet në Lindjen e largët ruse, 5 800km larg Moskës. Rusia aktualisht përdor kozmodromin e Baikanurit në Kazakistan, që është ndërtuar në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik.
Francë
OKB-ja kritikon qeverinë për racizëm
Kombet e Bashkuara kanë sulmuar ashpër Francën pas dëbimit të qindra romëve nga vendi. Zëvendëspresidenti i Komitetit të OKB-së kundër racizmit, Pier Rishar Prosper ka kritikuar qeverinë franceze se po vepron mbi baza raciste dhe ksenofobe. Ai i bëri thirrje Parisit të luftojë shtimin e racizmit dhe ksenofobisë në Francë. "Ky nuk është problem francez por europian. Zgjidhja duhet të jetë europiane. Ka legjislacione të brendshme, por edhe politika të BE-së që duhet të hyjnë në lojë. E këshillojmë Francën t’i marrë të gjitha këto në konsideratë”, thotë Prosper.
29 Gusht 2010