Prishtina e nisë mbarë
Prishtina e ka shfrytëzuar si është më së miri dështimin e Hysit, duke fituar të mërkurën ndaj Drenicës më rezultat 2:0, në ndeshjen e mbetur të xhiros së 18-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, e cila u zhvillua në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
Pas një pjese të parë të baraspeshuar, bardh e kaltrit i kanë gjetur të dyja golat në pjesën e dytë. Në këtë periudhë drenicasit, të cilët nuk e kishin përkrahjen e tifozëve të tyre (Drenica është dënuar të luajë pa praninë e shikuesve), u dorëzuan në 45 minutëshin e dytë.
“Me lojën e Drenicës jam i kënaqur vetëm në pjesën e parë. Në pjesën e dytë nuk arritëm të bëjmë asgjë, dhe kjo është rrjedhojë e përgatitjes fizike të lojtarëve. Na mbetet të punojmë në të ardhmen më shumë, ndonëse nuk mund të themi se e kemi siguruar mbijetesën”, ka thënë pas ndeshjes trajneri Tahir Lushtaku.
Kampionët vjeshtorë kanë shënuar me anë të Azem Ahmetit, në minutën e 70-të, pas shërbimit të mirë nga Suad Saliagiç, dhe zëvendësuesit Faton Zejnullahu, që shënoi nga largësia, në minutën e fundit të ndeshjes.
Për këtë fakt, s’kishte si të mos ishte i kënaqur trajneri Ramiz Krasniqi.
“Loja ishte e mirë vetëm në disa raste, pasi që terreni nuk ishte aq i mirë. Megjithëkëtë, unë e përgëzoj Drenicën për lojën e saj dhe i uroj suksese, kurse Prishtina mendoj se fitoi me meritë”, tha trajneri prishtinas.
Ajo çka bëri gjatë 90 minutave Drenica, që vlen të përmendet ishte shtylla të cilën e goditi Visar Tahiri, dhjetë minuta para përfundimit të takimit. Kjo fitore e sjell Prishtinën në kuotën e 42 pikëve, 9 më shumë se përcjellësi kryesor, Hysi.