E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan, jashtë Evropës

Milan është eliminuar nga Liga e Kampionëve. Shtatë herë kampioni i Evropës ka dominuar në ndeshjen e kthimit ndaj Tottenhamit, por nuk e ka gjetur atë për të cilën kishte nevojë – golin. Londinezët e siguruan kualifikimin historik në çerekfinale, falë golit të shënuar në ndeshjen e parë. Skuadra tjetër që eci përpara ishte Schalke, e cila e eliminoi Valencian. Nga Express më 09 mars 2011 në ora 22:43

Dominimi në Londër nuk i ka ndihmuar Milanit që të kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Rossonerëve u ka kushtuar shtrenjtë goli i Peter Crouch, i realizuar në ndeshjen e parë në San Siro.

Ata barazuan pa gola të mërkurën në shtëpi të Tottenhamit, i cili u kënaq me rezultatin 0:0. Rasti më i mirë i ndeshjes ishte ai i pjesës së parë, kur pas një goditjeje të Robinhos, mbrojtësi Gallas shpëtoi gol të sigurt, duke e larguar topin nga vija e portës.

Italianët kanë provuar edhe me Paton, por assesi të shënonin. Kurse, londinezët janë koncentruar kryesisht në ruajtjen e rezultatit nga ndeshja e parë, të cilën e bënë me mjaft sukses. Ata patën disa gjysmëraste me Crouch dhe Van der Vaart.

Në përballjen tjetër, Schalke u kualifikua në çerekfinale pasi mposhti 3:1 Valencian. Spanjollët shënuan të parët përmes Ricardo Costas (17’). Mirëpo, ata hasën në një rikthim të jashtëzakonshëm të klubit gjerman.

Sulmuesi Farfan ka realizuar dy gola (40’ e 90), ndërsa një gol tjetër e shtoi Gavranovic (52). Schalke, e cila nuk po kalon momente të mira në Bundesliga, në ndeshjen e parë, të zhvilluar në Spanjë, e kishte nxjerrë një barazim, 1:1.

Kështu, Tottenham e Schalke i bashkohen Barcelonës dhe Shakhtar Donetsk, të cilat e kishin siguruar një vend në çerekfinale një natë më parë. Katër çerekfinalistët tjerë do të dihen javën tjetër.

Liga e Kampionëve

E teta e finales

Rezultatet
Tottenham – Milan 0:0 (1:0)
Schalke – Valencia 3:1 (1:1)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›