E Shtunë, 31 Tetor 2026

I pandalshmi Inzaghi

Pavarësisht 38 vjetëve dhe lëndimit serioz që pësoi në nëntor të vitit të kaluar, Filippo Inzaghi thotë se ende ka çka të ofrojë në fushën e lojës. Sulmuesi i Milanit ka përshkruar stilin e lojës së tij dhe pozitën gjithnjë afër ofsajdit. Tregon për kujtimet më të mira, por edhe ato të hidhura, derisa premton se së shpejti do t’i kthehet detyrës së tij, shënimit të golave. Nga Express më 09 mars 2011 në ora 09:54

Derisa disa futbollistë dhurojnë shkëlqimin me merita të aftësive të tyre teknike, disa të tjerë kultivojnë detyrën e finalizimit. Filippo Inzaghi është anëtar krenar i kësaj të fundit, sulmues i frikshëm që me lojën e tij ka ndarë mendimet e përkrahësve për vite me radhë.

“I lindur në ofsajd” sipas Sir Alex Fergusonit, sulmuesi i Milanit gjithmonë gjendet i kacavarur në krah të mbrojtësit të fundit i gatshëm të depërtojë i lirë dhe të shënojë edhe nga pozitat më të pazakonshme.

Përveç medaljes së fituesit të Kampionatit botëror 2006 në Gjermani, qasja e tij pragmatike i ka ndihmuar të arrin tituj të shumtë edhe në shkallën e klubeve. Ai është edhe i pari, dhe deri më tani i vetmi futbollist që ka arritur të shënojë gol në çdo garë të klubeve gjatë karrierës së tij që filloi në Piacenza, e më pas kaloi aventura në Parma, Atalanta, Juventus dhe tani në Milan.

Jashtë fushës nga operacioni i ligamenteve në gjurin e majtë më 23 nëntor, 38-vjeçari synon rikthim sensacional. Pavarësisht dëmtimit serioz, ai mbetet i përqendruar në betejë për t’u rikthyer.

“Është e vërtetë se pas kalimit të periudhës së gjatë në shkallën më të lartë, numri i lëndimeve gati më ka përfunduar karrierën por asnjëherë nuk jam dorëzuar, edhe në momentet më të vështira sikur ky i fundit. Sekreti im është pasioni dhe dashuria që kam për atë që bëj, e konsideroj veten me fat, sepse kam pasur mundësi në jetë të bëj gjënë më të afërt me zemrën time: të luaj futboll. Po ashtu, kam qenë me fat që kam fituar tituj të rëndësishëm sikur dy Ligat e Kampionëve dhe gara të tjera me Milanin”, tha Inzaghi gjatë një interviste me uebfaqen zyrtare të FIFA-s.

Sa i përket stilit të tij të lojës, ai e shpengon kështu: “Mendoj se loja ime bazohet në nisjen në kohën e duhur. Kjo është shumë me rëndësi për një futbollist si unë që i kalon ndeshjet në vijën e ofsajdit, gjithmonë i gatshëm të niset drejt golit kundërshtar. Pas kësaj, instinkti më ndihmon shumë rreth dërgimit të topit në rrjetë”.

Sa i përket futbollistit që i ka lënë mbresa më së tepërmi, ai veçon një. “Ka shumë prej tyre, por mendoj se nëse duhet të marr parasysh moshën dhe talentin, Lionel Messi është futbollist i jashtëzakonshëm”, theksoi ‘Super Pippo’.

Si qendërsulmues, Inzaghi është vënë përballë mbrojtësve të ndryshëm, por ai tregon se cili ka qenë më i vështiri.

“Nëse më duhet të përmend një emër, do të thosha Paolo Maldini, me të cilin kam pasur nder të takohem si kundërshtar, por edhe të luaj së bashku për shumë vite në Milan”, theksoi ai. Përveç suksesit, karriera e një futbollisti të famshëm pa dyshim se sjell edhe kujtime të hidhura.

“Kujtimi im më i mirë është pa dyshim fitorja e Ligës së Kampionëve në Athinë më 2007, kur shënova dy gola kundër Liverpoolit (në fitoren 2-1). Kujtimet më të këqija janë lëndimet e ndryshme që më kanë mbajtur jashtë fushës për kohë të gjatë. Humbjet nuk janë kujtime të këqija, sepse janë pjesë e lojës”, thotë Inzaghi, i cili pavarësisht konkurrencës së fortë në repartin sulmues të Milanit, beson se ende mund të jetë i dobishëm për ekipin.

“Konkurrenca e fortë është opsion shtesë, dua t’i ndihmoj ekipit dhe besoj se ende do të jem në gjendje. Nëse do të mendoja se jam problem, nuk do të luaja këtu”, u shpreh ai.

Tani është i përqendruar në rikthimin e tij në fushë. “Shpresoj të kthehem së shpejti, shumë shpejt. Synimi im është të luaj përsëri dhe të kthej rekordin tim të golave në garat evropiane”, përfundoi Inzaghi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›