E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina e përkushtuar për miqësi speciale me ShBA-në

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi pritën sot në një takim të përbashkët senatorët amerikanë, George V. Voinovich dhe Jeanne Shaheen, të cilët i falënderuan për përkrahjen e përhershme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ata personalisht kanë dhënë për vendin tonë.

“Republika e Kosovës çmon mbështetjen e jashtëzakonshme që ShBA-të i kanë dhënë vendin tonë në përpjekjet e gjata për liri dhe pavarësi”, ka thënë me këtë rast Sejdiu, transmeton Presidenca. Populli dhe institucionet e Kosovës, vijoi Sejdiu, janë të përkushtuara për të ruajtur miqësinë speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe popullin amerikan.

Duke folur për zhvillimet dhe arritjet e Kosovës në dyvjetorin e pavarësisë, presidenti i Kosovës tha se Republika e Kosova ka kapërcyer dy vjet shumë të rëndësishëm dhe të suksesshëm, ndonëse sfidat nuk kanë qenë të pakta.

“Republika e Kosovës është dëshmuar si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon dhe ne jemi të vendosur që ta vazhdojmë politikën tonë të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit reciprok me të gjitha vendet fqinje, përfshirë edhe Serbinë”.

Po ashtu, ai pohoi se Kosova është e gatshme për bashkëpunim dhe dialog të sinqertë për çështje të interesit të ndërsjellë, siç është bashkëpunimi ekonomik, lëvizja e lirë e qytetarëve, luftimi i krimit të organizuar etj., me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve të të dyja vendeve. Por, Sejdiu ka theksuar se Kosova nuk do të bisedojë asnjëherë për çështje që mund të prekin sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës.

Edhe Kryeministri Thaçi rikonfirmoi gatishmërinë e Qeverisë për marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe për bashkëpunim në fusha që mund të jenë me interes për të dyja vendet.

Mirëpo, pohoi ai, Kosova nuk mund të ndikojë shumë për shtimin e këtij bashkëpunimi, kur Serbia zyrtare, jo që nuk ka vullnet për bashkëpunim, por e pengon me çdo mjet pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës nëpër institucionet apo konferencat e ndryshme ndërkombëtare.

“Shumëherë, përfaqësuesit e Serbisë i kanë braktisur sallat e takimeve të ndryshme ndërkombëtare, në shenjë të protestës ndaj pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Republikës së Kosovës”, rikujtoi kryeministri Thaçi.

Ndërkaq, senatorët George V. Voinovich dhe Jeanne Shaheen ritheksuan vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përkrahur edhe më tej Kosovën dhe aspiratat e saj për integrime euroatlantike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›