E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina e suksesshme në dy ndeshjet e para kontrolluese

Nga Prishtina, Ejup LLUMNICA
Prishtina, njëra nga pretendentet kryesore për titull, që tashmë është në vlugun më të madh të përgatitjeve, ka rritur edhe më shumë intensitetin dhe krejt kjo për arsye që stinori pranveror t'i gjejë sa më të përgatitur, kur dihet se në atë periudhë do ta presin sfida të mëdha. "Bardh e kaltrit", të udhëhequr nga trajneri Kujtim Shala, përvec përgatitjeve fizike, kanë zhvilluar edhe dy ndeshje miqësore-kontrolluese. Kështu, pas fitores në ndeshjen e parë për këtë vit, që zhvilluan kundër 2 Korrikut, të cilin e mposhtën me rezultat minimal, në ndeshjen e dytë kundër Fushë-Kosovës zhvilluan një ndeshje shumë të pëlqyeshme. Ata, gjatë gjithë kohës ishin superiorë dhe nëse bazohemi në këtë, atëherë më të drejtë mund t'ia japim epitetin e njërës nga skuadrat kryesore për titull të kampionit. Ky takim i zhvilluar në Fushë-Kosovë përfundoi me rezultat 5:0 në të mirë të prishtinasve. Gjithsesi duhet theksuar se edhe pas largimit të disa futbollistëve shumë të rëndësishëm të skuadrës, si ai i mbrojtësve Liridon Kukaj dhe Mervan Hoxha, të cilët kaluan në radhët e Bashkimit të Kumanovës, huazimi i Malsor Gjonbalajt te Trepca'89, dhe i Eduart Berishës te Flamurtari, si dhe lëndimi i qendërmbrojtësit Arben Zhejci, për të cilin ka përfunduar stinori pranveror, dukshëm kanë lënë zbrazëtira, sidomos në mbrojtje. Mirëpo, si duket angazhimi i Valon Bajgorës, i ardhur nga Besa e Kavajës, Ertan Hasanit nga Slloga e Maqedonisë, Milaim Humollit nga Flamurtari, si dhe kthimi pas lëndimit i Bardhyl Kacit, deri diku kanë stabilizuar skuadrën dhe nëse bazohemi në dy paraqitjet e para, megjithëse përballë kishin skuadra të rangut më të ultë, mund të konstatojmë se Prishtina prapë mbetet skuadër shumë e fortë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›