“Thërrimet” e Bajkos, vendi i dytë i Likës dhe qejfet e presidentëve

Nga Altin B. Kodra
Bashkë-editor i Albania-Sport.com
Albania-Sport - Pak javë pas fillimit të kampionatit të Kategorisë Superiore, trajneri i mirënjohur, Neptun Bajko, bëri një deklaratë mjaft interesante për shtyp. I pyetur për synimet e skuadrës që ai drejtonte atëherë, Partizanit, ish-trajneri veteran i Kombëtares, Teutës dhe Vllaznisë, u përgjigj se skuadra e tij "do të merrte thërrimet që do të linte Tirana, pasi, për titull, me kontingjentin që ka, nuk mund të synojë për trofe". Kjo deklaratë e sinqertë dhe realiste, coi në një reagim të menjëhershëm të presidentit të Partizanit, Albert Xhani, i cili theksoi se Partizani ishte një klub i madh, që gjithnjë synon dhe do të synojë për trofe dhe që nuk mund të dorëzohet kaq lehtë. E gjithë kjo coi në largimin e Bajkos nga pankina e të kuqve të kryeqytetit dhe zëvendësimin e tij nga Hasan Lika. Dhe ishte pikërisht ky i fundit, i cili, në një deklaratë të sinqertë, dhënë këto ditët e fundit për gazetën prestigjioze sportive, "Sport Ekpres", do të deklarojë: "Sigurisht, ne kemi punën tonë dhe do të mundohemi që të bëjmë maksimumin deri në fund. Por, dhjetë pikë janë shumë dhe ndoshta duhet të fokusohemi tek vendi, në të cilin ndodhemi... Tirana? Deri tani, sidomos pas fitores së fundit me Luftëtarin, unë mendoj se ata (bardheblutë) janë të paarritshëm". Lika di shumë gjëra për futbollin dhe, kur flet, e ka peshuar mirë fjalën që thotë, vecanërisht në një moment të tillë. Por, në ndryshim nga Bajko, Lika ka luksin e kohës, e cila, në dukje, i jep më shumë të drejtë sesa parardhësi. Ndonëse kanë mbetur ende edhe 14 javë deri në përfundim të kampionatit të këtij sezoni, Partizani është plot 10 pikë larg Tiranës kryesuese, ndërsa, pas tij, përkatësisht vetëm një dhe dy pikë prapa, janë Teuta dhe Vllaznia, të cilat kanë treguar se kanë potencialin dhe ambiciet për të synuar, të paktën për një vend në Kupat e Evropës, duke qenë se vazhdojnë të jenë në valle edhe për Kupën e Shqipërisë. Por, ajo që të bën përshtypje, është reagimi i presidentit të Partizanit kundrejt dy deklaratave thuajse identike, për të cilat është mbajtur një qëndrim krejt i ndryshëm. Natyrisht që këtu nuk po themi që Hasan Lika duhet shkarkuar për atë që tha. Përkundrazi; ish-lojtari i Partizanit ka bërë një punë të kënaqshme, duke patur parasysh grupin e lojtarëve që ka në dispozicion dhe vendi i dytë në renditje është një ilustrim i kësaj pune. Ajo që dëshirojmë të theksojmë këtu, është se, sa më shpejt do të arrijnë presidentët apo drejtuesit e klubeve të heqin dorë nga standardet e dyfishta të gjykimit apo veprimit, sa më shpejt ata të kuptojnë se trajnerët kanë nevojë për sezone, dhe jo muaj e javë, për të punuar me skuadrën, sa më shpejt të mësohemi të punojmë me plane afatgjata, aq më shpejt do t'i afrohemi një menaxhimi profesionist dhe të dobishëm të futbollit dhe sportit.