E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina i ankohet Brukselit

Kolonat e gjata në pikat kufitar Merdarë dhe Dheu i Bardhë, kanë bërë që të shqetësohet Prishtina dhe të kërkojë sqarim në Bruksel, për mos zbatim të marrëveshjes për lëvizje të lirë mes Kosovës dhe Serbisë. Këshilltari i zëvendëskryeministres, Edita Tahiri, Dren Zeka ka thënë se është kërkuar nga Brukseli që të bëjë presion mbi Serbin që marrëveshja të zbatohet.

Ai në një prononcim nëpërmjet telefonit për Kosovapress ka thënë se arsyetimet e palës serbe janë që ka pas probleme teknike me rrymë dhe sistemin e të dhënave, por sipas tij nuk qëndrojnë këto arsyetime, sepse kanë zgjatur me ditë të tëra.

Zeka shpreson që pas kontaktit me Brukselin, do të ketë një presion më të madh ndaj palës serbe që të zbatojë marrëveshjen.

“Ne jemi informuar nga policia dhe Ministria e Punëve të Brendshme, që ka disa probleme në kufirin mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ku ka disa neglizhenca nga pala serbe, me që rast qytetarët nga Kosova nuk po mund të kalojnë pjesën tjetër të kalojnë në Serbi, sepse arsyetimet e palës serbe janë që kanë pasur disa probleme teknike, njëherë me rrymë e pastaj me sistem. Ne për këtë gjë kemi biseduar me Brukselin dhe kemi kërkuar që ata të bëjnë presion te pala serbe, që marrëveshja për lirinë e lëvizjes të zbatohet plotësisht dhe po presim që sa më shpejt kjo gjendje të rregullohet”, ka thënë Zeka.

Madje ai ka shtuar se në ditët e para të fillimit të zbatimit të marrëveshjes nuk është shfaq asnjë problem, por këto ditë kur është fluksi më i madh i mërgimtarëve të Kosovës që shkojnë në vendet e Evropës, aty janë shfaqur disa probleme ku janë krijuar disa radhë të gjata nga kolona e udhëtarëve.

Zeka ka përmendur edhe një arsyetim që e ka dhënë pala serbe tek plotësimi i dokumentit hyrje-dalje, që në pjesën serbe po merr shumë kohë, ndërsa në kufirin e Kosovës nuk ka vonesa.

“Arsyetimi fillimisht ka qenë që plotësimi i dokumentit hyrje-daljet që ne e zbatojmë, edhe ne e edhe pala serbe po ju merr kohë, po ky nuk është arsyetim se të njëjtin dokument e plotësojmë edhe ne dhe në pjesën tonë të kufirit ajo po plotësohet me shpejtësi dhe qytetarët që po hyjnë nga Serbia në Kosovë nuk kanë pas problem ose vonesa. Vonesa po ndodhin vetëm në shkuarje nga Kosova për në Serbi dhe po shfaqen këto pengesa, dhe ne kemi intervenuar te Brukseli dhe po presim shumë shpejt që kjo çështje të zgjidhet”, ka thënë ai.

Ndryshe marrëveshja për lëvizjen e lirë ka filluar së zbatuari nga 26 dhjetori i vitit të kaluar, duke mos u shfaqur ndonjë problem për disa ditë. Por me rritjen e fluksit të madh të mërgimtarëve janë shfaqur edhe këto probleme në kufi, duke pritur mërgimtarët deri në 7 orë të tëra. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›