Lëvizin 'elefantët'

Dy partitë më të mëdha politike në Kosovë, PDK’ja dhe LDK’ja kanë filluar takimet me strukturat partiake dhe kanë dhënë shenja se këtë vit do t’i nisin reformat e brendshme.
Hashim Thaçi ka paralajmëruar se diku kah gjysma e këtij viti do të mbahet Kuvendi Zgjedhor i PDK’së, i cili nuk është mbajtur prej vitit 2006.
Në anën tjetër, Isa Mustafa ka nisur debatet publike për ndryshimin e Statutit të LDK’së, i cili parasheh kompetenca shtesë për Kryetarin dhe largim e zyrtarëve që kundërshtojnë politikat e partisë.
Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi ka konfirmuar se takimet me anëtarët e partisë janë duke vazhduar dhe po përgatiten për organizimin e zgjedhjeve të brendshme.
“Në këtë drejtim pa dilemë që parashihet angazhim më i madh për fuqizim të PDK’së, hapje të saj, por edhe profilizim të plotë. Natyrisht, brenda këtij viti mendojmë që të mbajmë një Kuvend Zgjedhor”, ka thënë Kuçi, për Express.
E Lideri i LDK’së, Isa Mustafa ka thënë se gjatë këtij viti do të ketë ndryshime dhe freskime brenda partisë, duke paralajmëruar se do të ketë lëvizje.
“LDK’ja të jetë një parti e profilizuar, me funksionalitet të lartë dhe me lidership të fortë”, ka thënë Mustafa.
Krejt këto hapa nga analistët politikë shihen si shenjat e para se megjithatë partitë e mëdha politike kanë filluar të funksionojnë dhe të merren me veten.
Analisti Shkëlzen Maliqi konsideron se aktivitetet e partive më të mëdha në Kosovë lidhen edhe me paralajmërimin për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.
“Shumë shpejt fillon civili i ri zgjedhor dhe gjatë këtij viti mund të ketë zgjedhje për President. Kësaj here, partitë duhet të jenë të përgatitur më mirë, duke i mbajtur zgjedhjet brenda partiake”, ka thënë Maliqi për Express.
Sipas tij, lëvizjet e fundit janë shenja të mira, por duhet të priten rezultatet.
“Ata po mundohen me procedura të rregullta të stabilizohen dhe të profilizohen sa më qartë. Sa ka me pasë sukses do të shohim, por tash po shohim shenjat e para të demokratizimit të brendshëm në sqarimin e raporteve mes grupeve dhe formacioneve”, ka shtuar ai.
Maliqi nuk parashikon ndonjë lëvizje të madhe brenda partive të mëdha, e as aderime të reja.
“Prej pritjeve të reja nuk ka ndonjë emër që mund të çojë peshë në skenën politike. Më shumë është përpjekja për konsolidim të forcave ekzistuese sesa që mund të ketë ndonjë ardhje nga disa parti që po shpërbëhen siç është LDD’ja”, ka parashikuar Maliqi.
PDK’ja dhe LDK’ja kanë pasur probleme të brendshme gjatë vitit të kaluar.
Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj disa herë kanë dalë kundër politikave dhe kanë kundërshtuar Liderin e PDK’së.
E udhëheqësi i LDK’së është përballur me presion nga njerëzit e Fatmir Sejdiut, disa prej të cilëve nuk u janë bindur urdhrave të tij.
Megjithëkëtë, analisti Maliqi nuk sheh ndonjë lëvizje që mund t`i përçajë këto dy parti.
“Deri më tash nuk ka pasur çarje serioze. Aktualisht situata në PDK dhe LDK nuk është sikur në kohën kur u përça LDK’ja, pas vdekjes së Rugovës. Edhe nëse do të ketë disidenca, nuk do të jenë shkatërruese për vetë subjektin”, vlerëson Maliqi.
Ndryshe, PDK’ja aktualisht ka 34 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe udhëheq Qeverinë, derisa LDK’ja ka shtatë deputetë më pak dhe ndodhet në opozitë.