E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina kërkon kreun në Mitrovicë

Dy ekipet me më renome, Trepça dhe Prishtina do të përballen të dielën në derbin e xhiros së dymbëdhjetë të Superligës. Objektiv i ‘Xehetarëve’ në këtë takim është fitorja, derisa edhe Prishtina synon pikë të plota për t’iu rikthyer kreut të tabelës pas dështimit të Trepçës ’89 në Pejë.

Xhiroja e dymbëdhjetë e Superligës së Kosovës në futboll do të sjellë derbin ndërmjet dy skuadrave me më renome në futbollin kosovarë Trepçës dhe Prishtinës.

Pas humbjes nga rivali i qytetit Trepça ’89, ekipi nga stadiumi ‘Adem Jashari’ në përballjen kundër Prishtinës synim të vetëm ka fitoren për t’i mbajtur gjallë shpresat për titullin e kampionit.

“Kundër Prishtinës patjetër dëshiroj fitore pasi ne ende i mbajmë gjallë shpresat për titull. Me Prishtinën do të futemi në lojë për tre pikë, ishalla edhe referimi është ne nivel”, ka thënë mbrojtësi i ‘xehetarëve’, Arben Zhjeqi për Express.

Në anën tjetër, trajneri i ri i Prishtinës, Afrim Tovërlani, është i vetëdijshëm se nuk do ta ketë lehtë përballë Trepçës. Megjithëkëtë, strategu prishtinas synon që në Mitrovicë të arkëtojë pikë për t’iu rikthyer kreut të tabelës pas dështimit të Trepçës ’89 në Pejë.

”Takohen dy klubet me ma renome në futbollin kosovar. Pres ndeshje të vështirë, sipas meje edhe Trepça është kandidat për titull. Ky ekip ka disa individë të mirë në skuadër, por ne shkojmë për të arkëtuar pikë nga Mitrovica. Shpresohej që do të jetë lojë e mirë për shikues, në fund të fitojë më i miri”, ka theksuar Tovërlani

Pas njëmbëdhjetë xhirove, Prishtina zë vendin e dytë në renditjen tabelore me 23 pikë të tubuara, një më pak sesa lideri Trepça ’89 që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar. Kurse skuadra e Trepçës zë vendin e katërtë me 17 pikë të tubuara.

Të dielën do të zhvillohet edhe tri takime interesante ndërmjet Llamkos Kosovës dhe Vëllaznimit, Ferronikelit e Lirisë dhe Hysit e Dritës. Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 14:00

Superliga – Xhiroja e dymbëdhjetë

E diel

Trepça – Prishtina

Ll. Kosova – Vëllaznimi

Ferronikeli - Liria

Hysi – Drita

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 14:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›