E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtruesi Suarez

Menaxheri i Evertonit, David Moyes, frikësohet se sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez mund të përcaktojë epilogun e derbit të Merseyside të dielën. Jo me talentin e tij, por simulimet e shpeshta, për çka është ballafaquar me kritika të ashpra këtë stinor. Moyes po ashtu beson se rrëzimet teatrale të uruguaianit rrezikojnë të largojnë spektatorët nga futbolli për shkak se do të krijohet përshtypja se lojtarët mashtrojnë në kërkim të rezultateve pozitive.

Menaxheri i Evertonit, David Moyes, ka bërë kritika të ashpra në drejtim të sulmuesit të Liverpoolit, Luis Suarez, duke e përfshirë atë në mesin e futbollistëve që ai frikësohet se do të largojnë tifozët nga sporti me “mashtrimin e tyre në kërkim të rezultateve”.

Moyes po ashtu ka pranuar se është i brengosur se Suarez mund të ndikojë në epilogun e derbit të Merseyside në Goodison Park të dielën, jo me talentin, por me rrëzimet e tij teatrale.

Dyshimet e Moyesit janë të bazuara në përballjen mes skuadrave nga sezoni i kaluar, kur Jack Rodwell u përjashtua pas 23 minutave lojë pas një ndërhyrjeje të pastër ndaj reprezentuesit uruguaian, i cili ndihmoi Liverpoolin drejt fitores 2-0.

“Njerëzit flasin për përjashtimet në këta derbi pa diskutuar rreth vendimeve. Vitin e kaluar Suarez simuloi, kurse gjyqtari mori një vendim të gabuar. Kjo shkatërroi ndeshjen”, deklaroi Moyes për The Guardian.

I pyetur nëse frikësohet nga përsëritja e këtij epilogu në derbin e 219-të të Merseyside, që do të drejtohet nga gjyqtari Andre Marriner, menaxheri i Evertonit deklaroi: “Po, për shkak se Suarez ka një histori të simulimeve. Megjithatë, unë nuk jam gjyqtari. Duhet të mendojmë se çfarë ndikimi do të ketë kjo. Simuluesit e bëjnë shumë mirë punën e tyre. Është shumë vështirë për tifozët, por mendoj se këto ngjarje mund t’i largojnë tifozët nga futbolli sepse do të mendojnë se futbollistët mashtrojnë për të nxjerrë rezultate pozitive. Njerëzit duan të shohin gjërat duke u bërë në mënyrë korrekte”.

Suarez ka qenë në qendër të akuzave për simulim, njësoj sikurse mesfushori i Tottenhamit, Gareth Bale, kurse menaxheri i Stoke Cityt, Tony Pulis, bëri thirrje që sulmuesi i Liverpoolit të dënohet për incidentin në takimin e mëhershëm të skuadrave këtë stinor.

Jim Boyce, nënkryetar i FIFA-s, iu bashkua kritikave, por menaxheri i Liverpoolit, Brendan Rodgers, përkrahu Suarezin. Kurse Moyes ka theksuar se kritikat e tij janë të “përgjithshme” dhe nuk vlejnë vetëm për Suarezin.

“Nuk mendoj se janë shumë futbollistët që bëjnë gjëra të tilla. Nuk ma merr mendja. Por, ju siguroj se nëse një i tillë do të ishte në skuadrën time, do ta këshilloja të qëndronte në këmbë dhe mos të rrëzohet lehtë. As tifozëve nuk u pëlqen ta shohin dikë duke u rrëzuar lehtë. Të gjithë që kanë luajtur futboll në çfarëdo niveli do të urrenin që diçka e tillë të ishte e pranishme në lojën e tyre”, përfundoi Moyes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›