E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina kërkon të zbatojë Strategjinë pa Beogradin

Strategjia për veriun e Kosovës, e hartuar nga qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare duhet të kalojë në një fazë konsultimesh me të gjithë faktorët relevantë, përfshirë këtu edhe autoritetet e Beogradit, bëjnë të ditur zyrtarë të Zyrës Civilë Ndërkombëtare në Prishtinë. Zyrtarë nga Zyra Civile Ndërkombëtare kanë deklaruar për Radion Deutsche Welle, se me planin e tyre për veriun, ata dëshirojnë që në këtë pjesë të vendoset rendi dhe ligji. Qeveria e Kosovës, e cila është bashkë-hartuese e strategjisë për veriun e Kosovës, nuk e kundërshton prerazi idenë që Zyra Civile Ndërkombëtare të konsultohet me Beogradin për këtë strategji. por zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ka deklaruar për Deutche ëellen se implementues të kësaj strategjie duhet të jenë vetëm institucionet e Kosovës. " Ne do ta ruajmë tërësinë territoriale, sovranitetin tonë, dhe Beogradi nuk do të ketë mandat, as vendosës e as veto mbi zhvillimet që ndodhin në territorin e Kosovës", tha Kuçi. Beogradi zyrtar përkrah strukturat paralele serbe në Kosovë dhe në mbështetje të tyre tashmë ka përcaktuar një buxhet që arrin shumën e miliona eurove. Ndërkohë, strategjia për Veriun parashikon shuarjen e këtyre strukturave. Zëvendëskryeministri Kuçi përjashton çdo mundësi të futjes në biseda të drejtpërdrejta me Beogradin për shuarjen e strukturave paralele serbe, që ekzistojnë në veri të Kosovës. Ai tha se Beogradi vetëm mund të interesohet për serbët e Kosovës dhe këtë interesim mund ta shfaqë në raporte të mira fqinjësore me Kosovën. Strategjia për veriun përfshin katër fusha kryesore: fuqizimi i sundimit të ligjit, reformimi i pushtetit lokal, që përfshin krijimin e komunës me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, instalimi i qeverisjes lokale edhe në tri komunat tjera veriore të Kosovës, Leposaviç, Zvecan dhe Zubin Potok si dhe përmirësimi i gjendjes sociale dhe ekonomike me investime të veçanta.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›