Sejdiu në Turqi: Vlerësojmë mbështetjen
Populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës çmojnë lart rolin që ka patur Turqia në procesin e lirisë dhe të pavarësisë së vendit tonë", tha Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu gjatë një takimi që zhvilloi në Ankara me kryeministrin turk, Rexhep Taip Erdogan. Ai falënderoi Kryeministrin Erdogan për mbështetjen që ai personalisht dhe Qeveria e Turqisë i ka dhënë Kosovës, veçanërisht në procesin e njohjes së pavarësisë.
"Kosova dhe Turqia kanë lidhje të fuqishme historike e kulturore, të cilat do të thellohen edhe më shumë në të ardhmen, meqë ekziston vullneti i dyanshëm për këtë", theksoi Presidenti Sejdiu.
Ndërkaq, Kryeministri Erdogan e siguroi Presidentin Sejdiu se diplomacia turke do të vazhdojë të punojë me tërë përkushtimin për integrimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Po ashtu, ai ritheksoi gatishmërinë e Republikës së Turqisë për të punuar për sigurimin e njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës, sidomos nga vendet e Konferencës Islamike dhe nga vendet e tjera tek të cilat Turqia ka influencën e vet.
Një theks të veçantë Kryeministri Erdogan i kushtoi çështjes së investimeve turke në Kosovë, duke premtuar se do t'i nxisë bizneset turke të jenë sa më të pranishme në Kosovë.
Edhe gjatë këtij takimi, u ritheksua se marrëdhëniet vëllazërore në mes dy vendeve i kanë të gjithë mundësitë e intensifikimit të mëtejshëm.