Prishtina kundër idesë së Ki Moon për vendosjen e EULEX në Kosovë
PRISHTINE- Prishtina zyrtare reagon kundër kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Muun mbi funksionimin e misionit të EULEX në Kosovë.
Nëpërmjet një letre, që Ban Ki Mun i dërgoi dje shefit të diplomacisë evropiane Havier Solana, kërkoi që misioni EULEX të jetë neutral në lidhje më statusin e Kosovës. Në letrën që Ban Ki Moon i ka dërguar zotit Solana, thuhet se EULEX-i mund të vendoset në Kosovë vetëm duke iu përmbajtur neutralitetit të statusit të Kosovës.
Pikërisht për këtë cështje reagon politika dhe analistët kosovarë. Udhëheqësit politikë kosovarë, thonë se misioni EULEX duhet të funksionjë në bazë të Kushtetutës së Kosovës. Analistët nga ana e tyre, thonë se kërkesa e Ban ki Mun, tregon qartë dallimet konceptuale, që kanë OKB-ja dhe BE-ja në lidhje me statusin e Kosovës.
Neutraliteti i EULEX-it thotë Ban ki Mun, shihet si imperativ, nëse synohet që EULEX-i të jetë funksional në Kosovë. Por udhëheqësit politik kosovar dhe analistët thonë se misioni i ri i BE-së duhet të funksionojë në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe jo të ketë një status neutral për faktin që për këtë nuk ka mandat. Udhëheqësit politikë rikujtojnë se kuvendi i Kosovës edhe në deklaratën e pavarësisë mirëpret misionin evropian, i cili ka për detyrë vetëm mbikqyrjen e zbatimit të pakos së Marti Ahtisarit, e cila Kosovën e përcakton shtet të pavarur. "Ne do ta zbatojmë pakon e Ahtisaarit. EULEX-i është një strukturë e përbërë nga vendet e BE-së dhe prezencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse kjo ka qenë ide dhe kërkesë edhe e jona dhe mendojmë se e gjithë veprimtaria e këtij misioni duhet të përputhet me pakon e Ahtisaarit. Mandat tjetër nuk ka", thotë presidenti Sejdiu për seksionin shqip të radios gjermane Dëelle.
Ndërkohë analisti i pavarur Driton Lajqi thotë kërkesa e Kombeve të Bashkuara që EULEX të jetë neutral në lidhje më statusin e Kosovës tregon qartë dallimet konceptuale, qe kanë kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në lidhje me statusin e Kosovës. "Unë këtë e shoh edhe si një mungesë të gatishmërisë së Kombeve të Bashkuara që ta pranojnë realitetin e ri të krijuar në Kosovë dhe në anën tjetër mungëse të gatishmërisë për t´u përballur me strukturat paralele serbe në Kosovë dhe qeverinë e Beogradit", thotë Driton Lajqi.
Administrata e Kombeve të Bashkuara po përpiqet të gjejë forma për shtrirjen e misionit EULEX në të gjitha rajonet e Kosovës, por e ka të vështirë, sepse në vendbanimet serbe misioni EULEX nuk pranohet. Udhëheqësit politikë kosovarë vazhdimisht përsërisin se misioni EULEX nuk duhet të jetë zëvëndësues i UNMIK-ut, por duhet të ndihmojë institucionet e Kosovës ne vendosjen e rendit dhe ligjit në të gjitha rajonet e Kosovës përfshirë edhe vendbanimet serbe. Ata thonë se përzierja e pushteteve në Kosovë e bënë vendin jofunksional.
(s.g/BalkanWeb)