Sipas një analisti: Jo Obama, por Xho Bajden do mbështesë Kosovën
WASHINGTON – Personi në krah të Barak Obamës, Xho Bajden do të jetë një ndër mbështetësit më të flaktë të Kosovës, në rast se partia e tij fiton zgjedhjet presidenciale në USA. Duke folur në Zërin e Amerikës në serbisht për qëndrimin e Barak Obamës ndaj Serbisë nëse zgjidhet president, analisti amerikan Xhon Stilidis, këshilltar në qendrën "Udro Uillson", thekson dy çështje. E para, thotë ai, me zgjedhjen e Xho Bajdenit për zv/president, "pavarësia e Kosovës do të ketë një ithtar të rëndësishëm, i cili mbështetjen e tij pavarësisë së Kosovës e interpreton si sukses të madh personal dhe politik". Kjo për serbët, shtoi ai, do të mbetet pengesë në administratën e Obamës. "Me siguri Obama do të rekrutojë një pjesë të anëtarëve të administratës së tij nga njerëzit e periudhës së Klintonit, të cilët kanë pritur me padurim për këtë mundësi këtu e tetë vjet". Ai si shembull merr Xhim Stajbergun, për të cili, thotë se ka pasur një rol të rëndësishëm në politikën amerikane të viteve ‘90 dhe në formimin e politikës së Ëashingtonit ndaj Kosovës. Sipas Stilidisiti, Stajberg madje mund të bëhet këshilltari i ri për siguri kombëtare.
Por Stilidis vë në dukje një “të metë” të kandidatit për President të SHBA-ve. “Obama shpesh ndryshon qëndrimet e tij ndaj çështjeve të rëndësishme të politikës së jashtme, pavarësisht nga ajo se kujt i drejtohet. Do të thosha se ai nuk është konsekuent sa i përket një sërë çështjeve të politikës së jashtme, andaj pjesë e lëvizjeve të ardhshme politike do të jetë - pasiguria", shprehet ky analist për "Zërin e Amerikës" në serbisht.
(d.b/QIK/BalkanWeb)