E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina kundër protokollit me Serbinë

Krerët e institucioneve të Kosovës edhe pas takimit me shefin e EULEX-it, Yves de Kermabon, kanë përsëritur qëndrimin e tyre se për Prishtinën marrin vendim vetëm institucionet legjitime të Kosovës dhe me këtë i është bërë e ditur EULEX-it se nënshkrimi i mundshëm i protokollit me Beogradin, edhe nëse bëhet, do të bëhet pa pëlqimin e Prishtinës.
Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë deklaruar të enjten pas takimit të përbashkët me shefin e misionit EULEX, Yves de Kermabon se sa i përket çështjes së nënshkrimit të protokollit ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë ka qëndrime tërësisht të ndryshme.
"Kemi qëndrime të ndryshme për karakterin e dokumentit të protokollit. Qëndrimi ynë është i qartë, do të jemi dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin shumë të thellë në të gjitha proceset, por gjithmonë duke qenë të zotuar në zbatimin e asaj që Kosova ka arritur si shtet sovran dhe i pavarur, dhe duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjet e saj, natyrisht me një mbështetje ndërkombëtare", ka thënë Sejdiu. Ndërsa, kryeministri Thaçi ka qenë më i ashpër në deklarimin e tij, duke thënë se në asnjë rrethanë nuk do t'i jepet hapësirë Serbisë në territorin e Kosovës. "Në asnjë rrethanë Beogradit nuk do t'i jepet hapësirë e as autoritet në territorin e Republikës së Kosovës përmes asnjë mekanizmi qoftë vendor apo ndërkombëtar. Vendimet për Prishtinën i marrin institucionet e Republikës së Kosovës dhe këtu duhet bërë dallimin, ideja që ka dalë nga EULEX-i për raportin e ri me Beogradin dhe bashkëpunimi që e kemi këtu në Prishtinë", ka thënë Thaçi. Ndërkaq shefi i EULEX-it, de Kermabon nuk ka bërë të qartë nëse do ta nënshkruajë këtë protokoll, por ka thënë se është duke punuar ende në atë draft dhe do të informojë për çdo vendim rreth kësaj çështje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›