Prishtina mendon për Tovërlanin
Skuadra e Prishtinës edhe këtë sezon dështoi ta rikthejë titullin e kampionit në kryeqytet, edhe pse ishin lider i Superligës pjesën më të madhe të kampionatit. Madje, ata lëshuan nga duart edhe Kupën e Kosovës.
Ky dështim mund t’i kushtojë trajnerit Ramiz Krasniqi me humbje të pozitës. Burime të gazetës Express brenda klubit prishtinas kanë bërë të ditur se tre zyrtarët më të lartë të klubit, kryetari Remzi Ejupi dhe dy nënkryetarët, Afrim Muçiqi e Ahmet Kurtolli po mendojnë për një trajner të ri, i cili do të mund t’u sillte bardhekaltërve trofe.
Burimet thonë se të tre zyrtarët e Prishtinës kanë preferenca të ndryshme. Gjithnjë sipas këtyre burimeve, numri një i klubit Remzi Ejupi po insiston që ta rikthejë në bankinë Afrim Tovërlanin, i cili para tri sezoneve ishte i pakonkurrentë në futbollin kosovar duke fituar dy tituj të kampionit dhe një Superkupë të Kosovës.
Megjithatë, Ejupi thotë se vetëm pasi të përfundojë ky kampionat do të kuptohet se a do të vazhdojë ta udhëheqë Prishtinën, Ramiz Krasniqi edhe në sezonin e ardhshëm, apo ndonjë trajner tjetër.
“Nuk ka asgjë konkrete. Aktualisht ne e kemi trajnerin. Pasi të përfundojë kampionati, do të mblidhet bordi i klubit. Në atë mbledhje do të analizohet rrjedhja e kampionatit, do të analizohet se deri ku kemi mbërritur e ku kemi çaluar. Dhe të shohim çfarë do të ndodhë më tutje. Nuk varet nga unë se çka do të ndodhë, por nga bordi i klubit”, deklaroi Ejupi për Express.
Në anën tjetër, strategu kosovar, Afrim Tovërlani, i cili para dy sezoneve arriti ta rikthejë Trepçën ’89 në Superligë, thotë se deri më tani nuk është kontaktuar nga zyrtarët e Prishtinës.
“Me mua nuk ka biseduar askush dhe nuk e di disponimin e askujt. Kush dëshiron të bisedojë me mua, adresën time e dinë. Nuk më intereson kush është pro meje, apo kundër. Secili e ka mendimin e vet. Kush dëshiron tituj, unë jam i gatshëm të shërbej. Nuk kam çka të flas unë, sepse flasin rezultatet e mia. Por, as nuk vuaj me qenë patjetër trajner i Prishtinës”, ka thënë Tovërlani për Express.
Përveç Tovërlanit, edhe emri i Jusuf Tortoshit ditëve të fundit përflitej si zëvendësues i mundshëm i Krasniqit. Por, ky i fundit ka kontratë me bardhekaltrit edhe një vit, derisa ka shprehur dëshirën e tij për të vazhduar punën me këtë skuadër.