Shaqiri, hero i Zvicrës (Video)

Xherdan Shaqiri ka pasur debutim të shkëlqyeshëm në Kampionatin Evropian U21. Mesfushori i Baselit pati paraqitje të shkëlqyeshme të shtunën mbrëma dhe shënoi golin e fitores minimale të Zvicrës ndaj mikpritësit Danimarka në minutën e 47-të.
Shaqiri, i cili ka më shumë paraqitje për ekipin e parë të Zvicrës sesa për ekipin U21, në Aalborg e bëri paraqitjen e parë për skuadrën e selektorit Pierluigi Tami, që nga nëntori i vitit 2009. “Kisha presion të madh, por e dua presionin. Pëlqej të luaj në një kompeticion të madh si ky”, deklaroi futbollisti kosovar pas ndeshjes.
“Isha i lumtur që isha në gjendje ta ndihmoja ekipin. Danezët luajtën mirë, por mendoj se ne ishim paksa më të mirë. Mendoj se gjithmonë ndjeni presion kur ktheheni për të luajtur nga ekipi i parë në U21. Pritjet janë të mëdha. Kështu që, unë dëshiroj të kem paraqitje të mira këtu. Këtë e bëra ndaj Danimarkës. Jam i lumtur që fituam”, shtoi Shaqiri, i cili mori lëvdata dhe u falënderua nga mediat zvicerane për kontributin e tij.
Në ballafaqimin me danezët, për Zvicrën U21 nga fillimi luajtën edhe futbollistët e tjerë shqiptarë, Admir Mehmedi dhe Granit Xhaka. Mehmedi është zëvendësuar në minutën e 85-të me futbollistin tjetër shqiptar, Pajtim Kasami. Xhaka luajti gjatë tërë ndeshjes, ndërsa Xherdan Shaqiri ia lëshoi vendin Timm Kloses në minutën e fundit.
Kurse, futbollisti i pestë shqiptar që e përfaqëson Zvicrën U21, Amir Abrashi nuk u paraqit fare në këtë lojë.
Në anën tjetër, për Danimarkën U21, nga minuta e parë luajti futbollisti kosovar, Bashkim Kadri. Futbollisti i Odenses luajti 57 minuta dhe u zëvendësua me Nicolai Jorgensenin.
Rami: Shaqiri në formë
Për selektorin Pierluigi Tami, paraqitja e mirë e Shaqirit nuk ishte befasi. Futbollisti kosovar pati paraqitje fantastike edhe në Wembley të Londrës për Zvicrën. “Shaqiri e ka gjetur formën e tij më të mirë. Ai ka demonstruar se ka personalitet të madh. Luajtëm më mirë, është kënaqësi ta mposhtësh mikpritësin e turneut. Ne kemi potencial të madh. Bëmë lojë të madhe dhe nëse vazhdojmë kështu, kemi mundësi të mira ta kalojmë grupin”, tha Rami.
Sommer: Shaqiri, lojtar special
Portier i ekipit U21 të Zvicrës, Yann Sommer, i cili gjithashtu pati paraqitje të shkëlqyeshme, e ka lavdëruar majtakun nga Gjilani, i cili ishte vendimtar në fitoren e zviceranëve.
“Është një plus për ekipin tonë që kemi lojtarë si Shaq. Ai mund të bëjë gjëra speciale”, tha Sommer pas ndeshjes. Në anën tjetër, edhe Shaqiri e lavdëroi portierin zviceran, për të cilin thotë se ka të ardhme të ndritshme.
Danezët lavdërojnë Shaqirin
Ndërsa futbollisti i Bayer Leverkusenit, Nicolai Jorgensen mendon se Danimarka ka mundur ta nisë më mirë Evropianin U21, nëse shokët e tij të skuadrës do të ishin të aftë të ndalnin Xherdan Shaqirin. Futbollisti kosovar ua dhuroi fitoren zviceranëve, pas golit që e realizoi në fillim të pjesës së dytë.
“Zvicra e ka një lojtar ekspert si Shaqiri. Ata luajnë 100 për qind për të. Gjithçka nis nga këmbët e tij. Ai kishte një nivel mbi të gjithë të tjerët sot. Ishim përgatitur mjaft për të, por më befason fakti se pse njerëzit nuk u kujdesën më shumë për të, edhe pse dukej e vështirë. Ai angazhohet mjaft, por nuk duhet dhënë aq shumë hapësirë”, tha Jorgensen.
Shaqiri ndër 10 yjet e Evropianit
Uebfaqja suedeze aftonbladet.se e ka publikuar listën e 10 yjeve që ia vlen të shikohen në Kampionatin Evropian U21. Mesfushori i Baselit nga kjo uebfaqe përshkruhet si i zhdërvjelltë dhe i vështirë për t’u përballur. I shpejtë përpara me topin e gjatë dhe fitues i shumë pozitave të lira.