Micheline Calmy-Rey konfirmon dorëheqjen

Presidentja e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, ka bërë të ditur se ajo do të tërhiqet nga politika deri në fund të këtij viti, duke përmbyllur kështu një karrierë të gjatë në jetën publike.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Micheline Calmy-Rey në një konferencë për media të mërkurën në Bernë, me ç’rast ka thënë se nuk do të rikandidohet për zgjedhjet në qeverinë federale, të cilat mbahen më 14 dhjetor.
“Kam dhënë atë që ka qenë më e mira për vendin. Jam fokusuar në marrëdhëniet bilaterale me BE-në dhe përforcimin e lidhjeve me vendet jashtë Evropës, përmes partnershipit strategjik dhe pozicionimit të Zvicrës si ndërmjetës në fushën ndërkombëtare”, ka thënë presidentja në dorëheqje.
Ajo ka shtuar se është sidomos krenare me rolin e Zvicrës në Këshillin për të drejtat njerëzore.
Gjatë qëndrimit të saj nëntëvjeçar në Qeveri, Micheline Calmy-Rey është kritikuar shpesh për veprimet e saja.
Micheline Calmy-Rey (66), një social-demokrate, ka fituar në zgjedhjet e vitit 2002 në Qeverinë federale të Zvicrës. Gjatë gjithë kohës ka mbajtur postin e ministres së jashtme, duke u bërë njëherësh femra e parë në këtë post në Zvicër. Gjatë mandateve të realizuara në qeveri, dy herë ka qenë në detyrën e presidentes.
Pas dorëheqjes, detyra e ministres së jashtme do të rezervohet për Partinë Socialdemokrate. Dorëheqja e saj vjen më pak se 50 ditë nga zgjedhjet parlamentare më 23 tetor.
Më 20 mars 2003, Micheline Calmy-Rey u bë ministrja e parë e Jashtme e një shteti që kaloi vijën e demarkacionit midis dy Koreve dhe ajo shkoi në Pjongjang për bisedime me lidershipin e Koresë Veriore.