Prishtina paralajmëron aksione të reja në Veri
Kryeministri i Kosove Hashim Thaçi paralajmëroi se së shpejti mund të ketë aksione të reja të njësisë speciale ROSU në veri të vendit.
“Do të kemi ballafaqime tjera me paramilitarë, huliganë e kontrabandistë, në mënyrë që ligjshmëria dhe kushtetuta e vendit të shtrihen në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Thaçi, gjatë një vizite që së bashku me Presidenten Atifete Jahjaga dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi i kanë bërë qendrës së njësisë elite të policisë të Kosovës në Vrellë të Sllatinës.
Kryeministri edhe një herë për trazirat në veri e fajësoi drejtpërdrejt Beogradin dhe përsëriti se nuk do të ketë kthim prapa.
Ndërsa duke falënderuar KFOR’in, Thaçi ua rikujtoi edhe njëherë qytetarëve se miqtë ndërkombëtar të Kosovës BE dhe SHBA, e kanë ditur se situata çfarë ishte në veri të Kosovës nuk do të zgjaste pafundësisht.
Ai pjesëtarëve të njësisë speciale u garantoi se brenda javës do të ndryshohet ligji dhe se pozita e tyre do të rregullohet me ligj.
Ndërsa, Presidentja Atifete Jahjaga duke iu drejtuar pjesëtarëve të ROSU, tha se ata janë nderi dhe krenaria e vendit.
“Ju ngjallët respektin e tërë vendit, kurse punës suaj i përkulemi ne dhe populli i Kosovës”, u shpreh ajo duke garantuar se për policin e vrarë Enver Zymberi, kriminelët do të marrin dënimin e merituar.
Kjo është vizitat e parë krerëve të shtetit në qendrën e njësisë elite, prej fillimi të aksioneve në veri më 25 korrik.