Zgjidhja arrihet vetëm brenda dialogut

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reichel, ka shprehur brengosjen e qeverisë gjermane lidhur me gjendjen në veri të Kosovës dhe dënon çfarëdo përdorimi të dhunës, duke thënë se zgjidhja e qëndrueshme mund të gjendet vetëm brenda dialogut.
“Normalizimi i gjendjes në veri, në veçanti zgjidhja e çështjes së qarkullimit të mallrave, duhet të jetë temë e procesit të dialogut aktual të udhëhequr nga bashkësia evropiane. Qeveria gjermane i mbështet në mënyrë aktive dhe fuqishëm të gjitha përpjekjet e Baroneshës Eshton dhe përshëndet faktin që ndërmjetësi i BE-së, Kuper, si i dërguar i Përfaqësueses së Lartë do të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën në fillim të kësaj jave”, ka thënë Reichel, siç transmeton Kosovapress.
Duke kërkuar nga të dyja palët t’i kthehen tavolinës së bisedimeve në Bruksel, sa më parë që është e mundur, ambasadori Reichel ka thënë se Gjermania është e angazhuar në Kosovë në mënyrë intensive - jo vetëm nga aspekti bilateral, por para së gjithash nëpërmjet KFOR-it dhe EULEX-it, dhe se të dyja këto prani e kanë besimin dhe mbështetjen e Qeverisë gjermane.