E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon takimi me Cooperin

Nga Express më 01 gusht 2011 në ora 18:23

(E plotësuar) Takimi në Rashkë mes përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë, Borisllav Stefanoviq e Goran Bogdanoviq me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë-Beograd, Robert Cooper ka përfunduar pas tri orësh, njoftojnë mediat serbe.

Asnjëri nga zyrtarët nuk ka dhënë deklarata për media në lidhje me takimin.

Njoftohet se i pari që ka lëshuar ndërtesën e kuvendit komunal, ku është zhvilluar takimi, ka qenë Cooper, i cili është larguar me nxitim, duke mos u ndalur pranë gazetarëve të grumbulluar.

Pritej që në takim të diskutohej gjendja e krijuar në veriun e Kosovës pas ndërhyrjes së autoriteteve kosovare për të shtrirë kontrollin edhe në pikat kufitare në veri.

Serbët lokalë kanë bllokuar disa rrugë magjistrale në pjesën veriore dhe po kërkojnë zgjidhje në kuadër të dialogut.

Cuper takon zyrtarët serbë në Rashkë

Në Rashkë ka nisur pas orës 16 një takim në mes të përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë, Borisllav Stefanoviq dhe Goran Bogdanoviq më ndërmjetësin e Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë-Beograd, Robert Cooper, njoftojnë mediat serbe.

Takimi thuhet se po mbahet në ndërtesën e kuvendit komunal të Rashkës.

Pritet që në takim të diskutohet gjendja e krijuar në veriun e Kosovës pas ndërhyrjes së autoriteteve kosovare për të shtrirë kontrollin edhe në pikat kufitare në veri.

Ndërkohë, komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, nuk ka pranuar të takohet me Borko Stefanoviqin dhe Goran Bogdanoviqin meqë ata kanë hyrë ilegalisht në Kosovë.

Zëdhënësi i KFOR-it, Hans-Dieter Wichter, ka thënë për RTK se ky takim nuk do të ndodhë. Ai ka shtuar se KFOR-i nuk ka hequr dorë nga mënjanimi i pengesave në rrugët që qojnë në Jarinë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›