Interesim për tregun kosovar
Vetëm dhjetë ditë pas bllokimit të mallrave serbe, janë shtuar këmbimet tregtare me vendet tjera të rajonit dhe të Evropës, thonë zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Mimoza Kusari- Lila, zëvendëskryeministre e Kosovës, njëherësh Ministre e
Tregtisë dhe Industrisë, thotë se Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia tashmë kanë shprehur interesim për të shtuar numrin e produkteve të tyre në tregun kosovar.
“Ka filluar të vërehen këmbime të mëdha tregtare me kompanitë nga Shqipëria dhe Maqedonia. Ndërsa, interesim shumë të madh kanë shprehur edhe kompanitë nga Turqia. Gjegjësisht, ditëve të fundit kemi pasur disa vizita nga përfaqësues të kompanive turke, të cilët kanë ardhur të shohin specifikat e produkteve të cilat duhet të zëvendësohen në tregun e Kosovës, gjegjësisht produkteve të cilat janë importuar më herët nga Serbia”, thotë Kusari – Lila.
Se tregu i Kosovës është bërë atraktiv për vendet rajonale dhe ato evropiane, thotë edhe Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit.
Shahini, vlerëson se me një përqindje të madhe nga Serbia, tregu kosovar është mbuluar më prodhime ushqimore dhe ato ndërtimore, mallra këto, që sipas tij, shumë lehtë do të zëvendësohen nga shteti i Shqipërisë, Maqedonisë, Turisë por edhe Bullgarisë.
“Tashmë tregu i Kosovës, edhe pse i vogël nga kapaciteti konsumues, është bërë interesant për të gjitha shtete rajonale, por edhe ato evropiane. Sektori i ndërtimtarisë më se shumti është goditur nga parimi i reciprocitetit. Sepse Serbia e ka pasur një treg të sektorit të ndërtimtarisë më një përqindje më të madhe se sa vendet tjera, por këto mund të zëvendësohen qoftë nga Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe shtete e tjera”, shprehet Shahini.
Me rritjen e këmbimeve tregtare më vendet e rajonit, është zvogëluar kontrabanda, thotë zëvendës kryeministrja Mimoza Kusari- Lila.
Kurse, mallrat e kompanive të shteteve tjera, të cilat tashmë kanë hyrë në tregun kosovarë, nuk do të jenë më çmime më të larta, se ato serbe, shprehet Kusari- Lila.
“Jo në asnjë mënyrë, sepse shumica prej tyre janë duke shikuar që t’i kenë me ato çmime të tregut, apo edhe më të ulëta, në mënyrë që të kenë periudhë promovuese, në mënyrë që t’i kthejnë konsumatorët”.
“Por, ne si qeveri, shpresojmë që këtë hapësirë të siguruar në treg, ta shfrytëzojnë edhe kompanitë kosovare. Disa kompani na kanë informuar që kanë kërkesë shumë të madhe për produktet e tyre, sidomos ato ushqimore. Dhe vërehet një entuziazëm gjegjësisht të kompanitë prodhuese për mundësitë e krijuara” thotë Kusari- Lila.
Por, Agim Shahini, nuk është optimist se nuk do të ketë ngritje çmimesh.
Sepse, sipas tij, kompanitë serbe nuk kanë paguar taksë doganore, ndërsa prodhimet që kanë ardhur nga Bashkimi Evropian, është dashur të paguajnë taksë doganore 10 për qind.
Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë Shahini, i rekomandon qeverise që përkohësisht ta heq këtë taksë për prodhimet esenciale, në mënyrë, siç thotë ai, konsumatorët mos të ndjejnë ngritje të çmimeve.
“Kosova duhet të jetë e hapur për të gjitha, por mbi të gjitha duhet të krijojë politika të njëjta, ashtu siç ka pasur edhe politika avancuese për prodhimet e Serbisë deri më tani. Sepse prodhimet që kanë ardhur nga Bashkimi Evropian, i cili është partneri i parë i Kosovës, sa i përket importit, ka pasur doganën 10 për qind, ndërsa Serbia e ka pas doganën zero për qind”, shprehet Shahini.
Kosova tash ka në funksion masat e reciprocitetit tregtar me Serbinë, ndërsa për Bosnjë Hercegovinën ka vendosur taksë doganore prej 10 për qind.
Zvogëlohet sasia e mallit të Serbisë në treg
Përfaqësues të kompanive tregtare në Kosovë thonë se produktet serbe të cilat kishin hyrë në treg para vendimit për reciprocitet ndaj Serbisë, shumica e tyre janë shitur. Së shpejti thonë ata këto produkte do të zëvendësohen me produktet e vendeve të rajonit dhe botës, por edhe me produktet vendore.
Një ndër importuesit e produkteve serbe në Kosovë deri më tani ka qenë kompania “Elkos”.
Pronar i kësaj kompanie Ramiz Kelmendi, thotë se në tregu kosovar nuk do të ketë më produkte të Serbisë, pasi që është një sasi shumë e vogël që ka mbetur në treg.
“Unë mendoj që një pjesë e mallrave strategjik siç është vaji dhe disa artikuj tjerë nuk do të arrijnë të qëndrojë deri në fund të kësaj jave, dhe maksimalisht do të mund të jenë edhe dy javë vetëm ndonjë asortiman (përzgjedhje), që ka qëndrueshmëri më të gjatë ose që shitet më pak”, shprehet Kelmendi.
Ndërsa, pronari i kompanisë “Beni-Dona”, Ragip Mustafa, thotë se të gjitha produktet e Serbisë që janë importuar në Kosovë nga kompania e tij, janë shitur dhe se nuk ka më as një mall të këtij shteti në treg.
“Ato janë shitur të gjitha tash dhe nuk kemi as një mall më”, tregon ai.
Në Kosovë, që nga vendosja e masave të reciprocitet ndaj Serbisë, produktet e këtij shteti nuk kanë mundur të hyjnë në Kosovë.
Të dhënat e doganave të Kosovës tregojnë se që nga vendosja e reciprocitetit ndaj Serbisë, produktet serbe nuk kanë mundur të futen në Kosovë.
Edhe pronari i “Elkos”, Ramiz Kelmendi, thotë se që nga vendosja e reciprocitetit nuk është furnizuar me produktet serbe dhe se së shpejti do të fillojnë të zëvendësojnë këto produkte.
“Në rastin kur Qeveria e Kosovës merr një vendim për ndërprerjen e furnizimit nga Serbia, alternativa tjera gjinden dhe kanë qenë të njohura edhe më herët, jo që tregtarët apo importuesit kanë pasur dëshirë që të sjellin mallra nga Serbia, por çmimi ka qenë më i lirë i produkteve serbe në raporte me vendet tjera”, shprehet Kelmendi.
Zëvendësimi i produkteve serbe më vendet tjera është më i kushtueshëm, dhe kjo, siç thekson Kelmendi, mund të ndikojë në ngritjen e çmimeve.
Për të mos ardhur deri të kjo ngritje ai thotë se Qeveria e Kosovës është dashur që të heqë doganën për të gjitha ato produkte strategjike që Kosova ka qenë e varur nga Serbia.
“Edhe nëse çmimi i kushtimit të një malli është i njëjte më atë të Serbisë, nëse në produktet e Evropës implementohet dogana për 10 për qind, ndryshimi i çmimit do të jetë”, sqaron ai.
Një ngritje të lehtë të çmimeve e thekson edhe pronari i kompanisë “Beni –Dona”, Ragip Mustafa.
Ndërkaq, sa i përket zëvendësimit të produkteve serbe me produktet e shteteve tjera, Mustafa shprehet:
“Nuk do të ketë ndonjë problem për zëvendësim. Mund të themi pija e ‘Coca – cola’ mund të ketë një problem për të marrë prapë në Kosovë, por produktet tjera si mielli qumështi që prodhohen këtu në Kosovë, apo edhe në vendet tjera si në Bullgari, Turqi etj nuk ka ndonjë problem”, tha ai.
Ndryshe, qytetarët e Kosovës ditëve të fundit kanë nisur të bojkotojnë prodhimet serbe, madje disa nga ta në mënyrë simbolike kanë organizuar aksione për bojkotimin e tyre. /rel/