E Diel, 1 Nëntor 2026

Muzikë ruse në Gjirokastër

I takon kuartetit rus "Atrium" të çelë sot me koncertin e tij në Gjirokastër aktivitetin "Takimet muzikore mes dy botëve". Programi i koncertit përmban muzikë të repertorit rus, e cila do të pasohet me muzikën e korit polifonik të konservatorit të Janinës. Koncerti do të zhvendoset në kinoteatrin e Dervicianit në Dropull. Kuarteti i harqeve "Atrium" është themeluar në vjeshtën e vitit 2000 në Konservatorin e St. Peterburgut, nën influencën e profesorit Joseph Levinson, violonçelisti i kuartetit të famshëm "Taneyev". Në shtator të vitit 2001, ai fiton çmimin e dytë ndërkombëtar të kuartetit të harqeve Chostakowitch të Moskës, si dhe çmimin e dytë të konkursit ndërkombëtar për kuartet harqesh në Cremona të Italisë. Pas këtyre sukseseve ata japin koncerte në Gjermani e në Austri dhe përfitojnë nga përvoja e anëtarëve të kuartetit "Alban Berg" dhe të profesorëve Eberhard Feltz në Berlin e të Michael Estrin në St. Peterburg. Në nëntor të vitit 2002, në konkursin ndërkombëtar të muzikës së dhomës në Weimar (Gjermani), ai fiton çmimin e dytë. Kuarteti "Atrium", prezantohet në skenën ndërkombëtare në prill të vitit 2003, kur fiton çmimin e parë dhe atë të publikut në konkursin ndërkombëtar të kuarteteve të harqeve të Londrës. Në vitin 2007 fitojnë çmimin e parë të Konkursit Ndërkombëtar të Kuartetit të Harqeve të Bordosë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›