E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina, skeptike për bisedime me Serbinë

Bisedimet e paralajmëruara teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për autoritetet në Prishtinë janë, sa të ndërlikuara, aq edhe të paparashikueshme. Ndërsa Prishtina zyrtare në parim ka shprehur disa herë gatishmërinë për bisedime dhe përmirësim marrëdhëniesh me Serbinë, si dy shtete të barabarta fqinje, dyshohet se edhe Serbia, në anën tjetër, është e gatshme për bisedime të tilla.

Bazuar në qëndrimet e Beogradit karshi shtetit të Kosovës, shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, tha për radion “Eevropa e lirë” se nuk pret shumë nga këto bisedime dhe madje as nuk beson se ato mund të nisin brenda një afati të shkurtë kohor.

“Bisedimet me Beogradin nuk mund të them se parashihet të ketë, sepse nuk ka asnjë instancë, qoftë kombëtare apo ndërkombëtare, që ka vendosur për bisedime. Kosova është e gatshme të bisedojë me Serbinë njësoj si me të gjithë fqinjët tjerë. Por në radhë të parë duhet të arrihet një marrëveshje për të biseduar, e pastaj marrëveshje se për çfarë do të bisedohet. Bazuar në deklaratat e fundit të zyrtarëve të lartë serbë, atëherë ka pak hapësirë për optimizëm se do të ketë çfarëdo bisedash”, shprehet ministri Hyseni.

Nisur nga pozicioni i Serbisë dhe kërkesa që të bisedohet për statusin dhe çështjet e brendshme, si dhe fushata e paralajmëruar diplomatike pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së për pengimin e njohjeve të reja, edhe analisti Ilir Deda thotë se bisedimet e tilla janë një proces i vështirë dhe se ato duhet të përcaktohen mirë para se të fillojnë në praktikë.

“Si mund të bisedojnë Serbia dhe Kosova për normalizim të marrëdhënieve, në qoftë se Serbia do ta ndërmarrë një fushatë agresive diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës? Njëra me tjetrën nuk shkojnë bashkë, domethënë nuk mund të bisedohet për normalizim të marrëdhënieve e në të njëjtën kohë të ketë konfrontim ndërkombëtar me axhenda të ndryshme”, vlerëson Deda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›