Prishtina synon këndelljen
Kampioni aktual, Prishtina tashmë e ka harruar disfatën që e pësoi nga Trepça ’89, që i kushtoi me humbje të kreut.
Bardhekaltrit tani janë përqendruar në sfidën e radhës. Të shtunën ata do të udhëtojnë drejt Pejës, ku i pret rivali i vjetër i tyre, Besa, e cila sivjet është skuadër shumë e zbehtë, si asnjëherë më parë në periudhën e pasluftës. Aktualisht është e fundit në tabelë me vetëm 5 pikë.
Prishtinasit janë të bindur se kanë fuqi shumë më të madhe sesa pejanët, andaj ata besojnë se të shtunën do t’u rikthehen fitoreve.
“Ajo humbje ka mbetur prapa shpine. Janë edhe njëzet e shtatë ndeshje të tjera para nesh. Të shtunën luajmë ndaj Besës. Ekipet që janë në situatë siç është sot, Besa shpesh dinë të shkaktojnë probleme të mëdha, sidomos kur dihet se Besa së fundmi nxori pikë si mysafire. Andaj, motivi i është rritur këtij ekipi, por megjithatë unë jam optimist se do të dalim fitues nga kjo përballje”, tha trajneri i kryeqytetasve, Ejup Mehmeti – Kapiti.
Në anën tjetër, ekipi kuqebardh synon ta befasojë kampionin në fuqi. “Së fundmi ne kemi nisur t’u kthehemi rezultateve të mira, kurse Prishtina gaboi nja dy herë. Ne do të mundohemi të vazhdojmë njëjtë, kurse Prishtina t’iu kthehet rezultateve të mira. Realisht Prishtina është favorite, por djelmoshat e mi mund ta befasojnë. Unë besoj në këtë, u shpreh trajneri i pejanëve, Miftar Rama.
Kjo ndeshje nis në ora 15:00, kurse një orë më herët në Merdar do të zhvillohet një tjetër ndeshje interesante mes Hysit e Llamkos Kosovës.
Superliga – xhiroja e shtatë:
E shtunë
Hysi – Ll. Kosova 14:00
Besa – Prishtina 15:00
E diel
Drita – Liria 15:00
Hajvalia – Ferronikeli 15: 00