Vazhdon loja ...

Futbolli kosovar do të vazhdojë të mos e shohë asnjë pikë drite të paktën deri në muajin dhjetor.
Kjo pasi FIFA assesi nuk po e gjen guximin që të paktën përfaqësuesen e Kosovës përfundimisht ta lejojë që të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare.
Kjo kërkesë e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), tashmë e moçme, po vazhdon të endet nëpër qytete të ndryshme të botës nga ana e FIFA-s dhe UEFA-s, të cilat thjesht po e anashkalojnë atë, duke mos iu përgjigjur.
Siç dihet, fillimisht këtë kërkesë të FFK-së, herë FIFA e kalonte te UEFA, e herë kjo e fundit te FIFA. Por, në maj të këtij viti, FIFA e aprovoi atë.
Mirëpo, pas presionit të Serbisë dhe miqve të saj, Sepp Blatter pati vendosur që ta ‘ngrijë’ përkohësisht atë vendim. Kështu, FIFA kishte paralajmëruar që atë vendimin do ta fuqizojë më 27 dhe 28 shtator, pasi Komiteti Ekzekutiv i saj t’i përzgjedhë modalitetet, në përputhje me të cilat Kosova duhet luajë miqësore të karakterit ndërkombëtar.
Mirëpo, ato modalitete nuk i përzgjodhi fare Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s në mbledhjen e vetë dyditore që e përfundoi të premten.
Ky organ vendosi që një gjë të tillë ta bëjë më 14 dhjetor në Tokio të Japonisë, duke e lënë kështu edhe më tutje reprezentacionin kosovar në tunelin e errët.
E këtë lajm presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter së pari ia bëri të ditur kreut të FFK-së, Fadil Vokrrit.
“Sepp Blatter, nëpërmjet sekretarit të tij, më ka telefonuar dhe më njoftoi se marrja e një vendimi është shty për në dhjetor. Arsyet ende nuk i kam mësuar, por më thanë se atëherë do të merret një vendim i favorshëm për Kosovën, duke bërë thirrje që mos të shqetësohemi aspak”, deklaroi Vokrri për Express nga Zvicra, ku nga afër i përcolli punimet e mbledhjes dyditëshe të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s.
E këtë shtyrje, Blatter e ka arsyetuar duke thënë se Komitetit Ekzekutiv i FIFA-s i nevojitet edhe pak kohë për t’i përzgjedhur modalitetet, konform të cilave Kosova do të duhet të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare.
“Le të na lihet edhe pak kohë në dispozicion për t’i përzgjedhur të gjitha ato modalitete. Ne jemi të vetëdijshëm se duhet ta zgjedhim këtë çështje në mbledhjen e radhës që do ta mbajmë më 14 dhjetor në Tokio”, citohet të ketë thënë Blatter nga mediat e huaja, pas përfundimit të mbledhjes dyditore të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s.