E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi i BE-së shfaq dasitë e vjetra

Bashkimi Europian, në takimin e tij të djeshëm, supozohej që të shfaqte një qëndrim të unifikuar në kuadrin e ndryshimeve vendimmarrëse të Traktatit të Lisbonës. Takimi kishte një axhendë në përgjithësi të thjeshtë: rënien dakord për fondin në favor të ndryshimeve klimatike dhe miratimin e një sërë procedurave të vogla në lidhje me politikën e jashtme. Por, fatkeqësisht, ndryshe nga sa pritej, ai dështoi në lidhje me qëllimin kryesor, atë të fondeve për ndryshimet klimatike. Por kjo duket se u korrigjua në orët e para të së premtes, kur pas kolapsit të madh liderët u zotuan më në fund për të dhënë një shumë prej 3.6 miliardë dollarësh për të përmbushur detyrimet e Kopenhagenit. Bëhet fjalë për mbështetjen e uljes së emetimit të gazeve të dëmshëm me 30% deri në vitin 2020. Të premten liderët e BE-së bënë thirrje për një taksë të mundshme për transaksionet financiare bankare, ku miratuan dërgimin e kontingjentit të ri të trupave ushtarake në Afganistan në kuadrin e strategjisë së re të amerikanëve në këtë vend, si dhe ranë në një mendje për sa i përket mbështetjes së sanksioneve të reja ndaj Iranit në lidhje me vazhdimin e ambicieve të tij bërthamore. Me gjithë vendimet që mori, takimi i liderëve të BE-së nënvizoi dallimet mes kombeve të varfra dhe të pasura në bllokun e 27 vendeve që e përbëjnë BE-në, si dhe nxori në pah vështirësitë ende ekzistuese në lidhje me vendimmarrjen për çështje të rëndësishme, edhe pas aprovimit të Traktatit të Lisbonës. Traktati sjell rregulla të reja për të përshpejtuar vendimmarrjen e BE-së në mënyrë që ajo t‘i përgjigjet më me shpejt dhe pa shumë burokraci sfidave të ndryshme, si ato në lidhje me energjinë, mbrojtjen, ndryshimet klimatike apo emigracionin.
Problemet në lidhje me takimin e kësaj jave kishin të bënin me vendimmarrjen për reduktimin e sasive të emetimit të gazeve të dëmshëm. Kryeministri polak, Donald Tusk, tha se ai ishte i gatshëm që t‘u bashkohej përpjekjeve të bllokut në lidhje me uljen e emetimit të dioksidit të karbonit, por vetëm pasi vendi i tij të kishte kaluar në sistemin e prodhimit të energjisë bërthamore pas vitit 2020. Sipas Kryeministrit polak, masat që mund të merreshin për uljen e emetimit mund të ishin shkatërrimtare për ekonominë polake dhe ai nuk do ta donte një gjë të tillë. Kryeministri suedez, nga ana tjetër, ishte optimist se BE-ja do të arrinte një marrëveshje në lidhje me financimin e kompensimit të vendeve në zhvillim që do të reduktonin emetimin. Superfuqitë europiane, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, kanë kontribuar secila me 20% në shifrën prej 3.6 miliardë dollarësh dhe Britania po nxit shtyrjen e shifrës në një më të lartë në bisedimet e Kopenhagenit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›