Marrëveshja, Krasniqi: “Qeveria, të bashkëpunojë me EULEX-in”
Blerina Olldashi
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka konsideruar se puna e EULEX-it për nënshkrimin e një marrëveshjeje me Beogradin, nuk cënon aspak interesat e qytetarëve të Kosovës, dhe për këtë arsye duhet mbështetur çdo iniciativë e misionit të BE-së.
“Nëse kjo marrëveshje është në shërbim të vendosjes së sundimit të rendit dhe të ligjit në Kosovë, nëse ajo ka për qëllim të ndërpresë kontrabandën që bëhet në doganat e asaj pjese të Kosovës dhe që e dëmtojnë buxhetin e Kosovës, mendoj që as Qeveria dhe as qytetarët e Kosovës nuk duhet të kenë reagim”.
Deklarata e Krasniqit vjen një ditë pas vendimit të Brukselit zyrtar për të aprovuar punën e EULEX-it në Kosovë, dhe për pasojë edhe marrëveshjen e përfolur me Beogradin. Sipas Krasniqit, protokolli nuk është problem për fushat ku EULEX-i do të luftojë krimin. Mbështetja që i ka dhënë BE-ja EULEX-it, pritej, pasi në fund të fundit, siç është shprehur ai, “EULEX-i është një trup i Bashkimit Europian në Kosovë, për të ngritur kapacitetet e institucioneve të Kosovës, sidomos të Qeverisë së Kosovës, në tri fusha mjaft të rëndësishme”. I pyetur ndërkaq, se si do të veprohet nëse kjo marrëveshje nuk do të nënshkruhet nga institucionet e Kosovës, pasi Qeveria dhe presidenti kanë thënë se nuk mund të ketë zbatim të asnjë marrëveshjeje që nuk nënshkruhet nga institucionet e Kosovës, Krasniqi është shprehur: “Të gjithë duhet ta dimë se në këto momente institucionet e Kosovës e kanë të vështirë t’i kontrollojnë këto tri fusha që ka EULEX-i në atë pjesë të Kosovës. Në këtë drejtim, unë kërkoj që të ketë një bashkëpunim më të fuqishëm mes EULEX-it dhe Qeverisë së Kosovës”,- ka thënë ai. “Në anën tjetër,- ka vijuar Krasniqi - unë nuk dëshiroj që EULEX-in në atë pjesë të Kosovës ta shoh si palë të tretë dhe jo aq të interesit të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës. Unë besoj që EULEX-i është në atë pjesë të Kosovës për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës, për të vendosur sundimin e rendit dhe të ligjit dhe në këtë rrafsh mendoj që duhet mbështetur”,- ka vlerësuar Krasniqi. Ndërkohë një nga hartuesit kryesorë të dokumenteve që përbëjnë bazën e sovranitetit të Kosovës së pavarur, Albert Rohan, në një intervistë për BBC-në, tha se misioni europian për drejtësi dhe polici, EULEX, nuk mund të nënshkruajë asnjë marrëveshje me vendet e rajonit pa pëlqimin e qeverisë në Prishtinë. Sipas tij, ky mision nuk mund të marrë përsipër asnjë pjesë të sovranitetit të qeverisë së Kosovës. Rohan tha se qeveria e Kosovës duhet të përfshihet në hartimin e të gjitha marrëdhënieve dhe duhet të pajtohet plotësisht rreth substancës së bashkëpunimit me vendet e rajonit. Ai tha se EULEX-i nuk mund ta detyrojë qeverinë e Kosovës të nënshkruajë, por duhet të bëjë përpjekje që ta bindë atë për dobinë e këtyre marrëveshjeve dhe së bashku të gjejnë mënyrën se si t’i zbatojë ato.
Kosovë, rinisin punimet në Kroin e Vitakut
Banorët shqiptarë kanë rinisur dje ndërtimin e shtëpive të tyre ne lagjen Kroi i Vitakut. Rasim Veseli, nga Kuvendi Komunal në Mitrovicë ka pohuar se punimet kanë filluar, në praninë e një numri të shtuar të forcave të rendit. Mediat kosovare raportojnë se banorët serbë të kësaj zone sapo kanë mësuar lajmin për rindërtimin e banesave janë mbledhur në shenjë kundërshtimi.
Rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve të shkatërruara gjatë luftës në Kosovë në pjesën veriore të MItrovicës ka hasur shpesh herë në kundërshtimin e banorëve vendas me etni serbe. Përleshja e fundit mes shqiptarëve dhe serbëve, që ndaloi për disa ditë punimet, pati si bilanc 7 të plasogur. Policia u detyrua të shpërndajë turmën me gaz lotsjellës. Qeveria kosovare dënoi incidentin dhe shprehu angazhimin se do ndërtojë shtëpitë pavarësisht kërcënimeve. Opozita kosovare reagoi ashpër ndaj këtij vendimi. Sipas opozitës, cështja në veri të Kosovës nuk ka mbetur në dy shtëpi që duhet të rindërtohen, por në ndërtimin e kufirit me Serbinë që po sjell sipas opozitarëve këto incidente.
Rasmusen konfirmon reduktimin e KFOR-it në Kosovë
Aleanca e Atlantikut Verior do të vazhdojë me planet për reduktimin e pranisë ushtarake në Kosovë, pavarësisht disa incidenteve të ndodhura atje kohët e fundit. Kështu u shpreh dje sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen.
"Pavarësisht incidenteve të padëshiruara, nuk mendoj se situata e përgjithshme e sigurisë ka ndryshuar. Kështu që ne do të vazhdojmë me planet e marra për reduktimin e trupave të KFOR-it në fillim të vitit të ardhshëm. Mendoj se situata e përgjithshme e sigurisë është përmirësuar dhe kushtet janë plotësuar për marrjen e një vendimi të tillë. Mendoj se situata e sigurisë është e kënaqshme”,- deklaroi Rasmussen në një konferencë për shtyp nga selia e NATO-s në Bruksel. Sipas tij, aleanca do të vazhdojë të realizojë vendimin, për reduktimin e numrit të trupave ushtarake në Kosovë nga 15 mijë në 10 mijë, në fillim të vitit të ardhshëm.
3 Shtator 2009