E Diel, 1 Nëntor 2026

Frikë për cunami në Indonezi

 

Një tërmet i fuqishëm ka goditur dje ishullin indonezian të Javas, duke vrarë të paktën 33 njerëz. Më shumë se 300 të tjerë janë plagosur, ndërsa ekziston frika se numri i të vdekurve do të rritet pas rrëshqitjeve të tokës të shkaktuara nga tërmeti. Më shumë se 700 shtëpi janë dëmtuar. Tërmeti u llogarit 7 ballë, sipas Ministrisë së Çështjeve Sociale në Indonezi, raporton AP. Epiqendra e tij ishte 115 km në jugperëndim të Tasikmalayas. Në qytet janë shpërndarë ekipet mjekësore. Dridhjet u ndjenë edhe në kryeqytetin Xhakarta, 200 km në veri, ku qindra njerëz dolën në rrugë, duke braktisur shtëpitë, dyqanet e zyrat. Autoritetet vunë alarmin për shpërthimin e një cunami, por pas disa orësh e tërhoqën atë. Sipas BBC, rreth 40 njerëz janë akoma të ngecur nën shkëmbinj dhe baltë në një fshat të brigjeve jugore të Javas, pas rrëshqitjeve të tokës. Tërmeti është ndjerë edhe 500 km larg epiqendrës, në Surabaya, qyteti i dytë për nga madhësia në Indonezi. Sizmologët kanë regjistruar një ngritje të lehtë në nivelin e detit në Pelabuhan Ratu, në perëndim të ishullit pas tërmetit, një tregues se ka pasur një cunami të vogël. Indonezia ndodhet mbi “Unazën e Zjarrit” në Paqësor, një nga zonat më aktive për tërmete vullkane në botë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›