E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Njerëzit të dëmshpërblehen deri në qindarkën e fundit

SHKODËR- Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama është takuar të martën me banorë të zonave të përmbytura në komunën e Dajcit dhe të Velipojës. Për të shkuar në komunën e Velipojës, Ramës i është dashur të udhëtojë me një motobarkë. Rama i shoqëruar nga deputetë të qarkut të Durrësit kanë biseduar gjatë me banorët e prekur të cilët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre kundrejt ndihmës që po i jepet nga strukturat shtetërore. Nga Velipoja, kryetari i Partisë Socialiste ka kërkuar nga qeveria që tu japë këtyre banorëve para në dorë për të përballuar situatën. “Unë e shikoj si domosdoshmëri që kriteret e dëmshpërblimit të jenë gati dhe që në momentin e përcaktimit të dëmeve menjëherë të lëvrohet fondi i domosdoshëm për ti dëmshpërblyer deri në qindarkën e fundit këta njerëz, jo sic ndodhi me ata të Gërdec ku disa u trajtuan si të nënës dhe shumica si të njerkës. Është e domosdoshme që qeveria të nxjerrë një fond asistence të menjëhershme ekonomike dhe sociale për këto familje duke u dhënë para në dorë në mënyrë që ti dalin për zot nevojave të tyre të ditës dhe të mos presin nga qielli a do të bjerë apo jo një thes me miell apo një shishe me ujë” u shpreh Rama. Kryesocialisti Rama ka këmbëngulur në gjetjen e përgjegjësve të kësaj situate, sepse në të kundërt, tha ai nuk do të kemi kurrë shtet por vetëm një pushtet që do përdorë shtetin për interesat e një grushti njerëzish klanorë dhe partiakë. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›