Lagjet në Shkodër nën ujë, maqedonasit në ndihmë për zhbllokimin
Situata në lagjet periferike në hyrje të qytetit të Shkodrës vijon të mbetet e rëndë, kjo si pasojë e fryrjes së lumit Buna, pas reshjeve të së hënës. Rrugët e lagjeve Xhabie, Tophan, Livadet, janë tërësisht nën ujë dhe vetëm përmirësimi i kushteve atmosferike gjatë ditës së martë ka bërë që të merren masa për heqjen sadopak të ujit në këtë zonë. Një ekip i përbërë gjithësej nga 43 persona i ardhur në ndihmë nga vendi fqinj Maqedonia, ka punuar gjatë ditës së martë për thithjen e ujit me anë të pompave dhe devijimin e tij matanë rrugëve të përmbytura.
Ekipi i kryesuar nga Zëvendës Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Republikën e Maqedonisë Ekrem Zendeli ka punuar për heqjen e ujit dhe përmirësimin e situatës, kjo falë edhe përmirësimit të kushteve të motit.
Udhëheqësi i sektorit të Manastirit për Mbrojtje dhe Shpëtim, Dinçe Jashevski, tregon se ekipi është i ndarë në tre grupe, ku grupi i parë po merret me thithjen e ujit me anë të pompave, grupi i dytë ndodhet në fshatrat përreth për të ndihmuar në evakuimin dhe furnizimin e banorëve të mbetur me shqime, ujë dhe produkte të tjera të nevojshme dhe një grup është në gatishmëri për emergjencat e mundshme në digat e hidrocentraleve.
Grupet e shpëtimit të ardhura nga Maqedonia, shpresojnë në një mot të mirë në mënyrë që të arrijnë ta kryejnë me sukeses misionin e tyre.