Ferrara: Ndjehem si Roki. Vazhdoj të marr goditje, por nuk rrëzohem
TORINO- Ndjehem si Roki. Vazhdoj të marr goditje, por nuk rrëzohem, qëndroj në këmbë edhe pse vazhdoj të them se më dhemb shumë. Ka qenë kjo deklarata e bërë nga trajneri i Juventusit çiro Ferrara në prag të ndeshjes së të mërkurës kundër Napolit, e vlefshme për Kupën e Italisë. Ai e ka krahasuar veten me personazhin e famshëm të Stalones, Roki Balboa, për të treguar situatën e vështirë ku ndodhet aktualisht. Ferrara ka patur një takim me tre drejtuesit kryesorë të klubit bardhezi, presidentin Blank, Roberto Betegën dhe drejtorin sportiv Alesio Seko, që kanë shkuar në Vinovo për t’i qëndruar pranë skuadrës në këtë moment të vështirë. Në qendrën stërvitore është analizuar humbja me Milanin, e cila ishte e gjashta në tetë ndeshjet e fundit. Ferrara do të jetë në stol në ndeshjen me Napolin, por kjo mund të jetë e fundit për të në krye të Juventusit. “Nuk mendoj se skuadra e qytetit tim do më rrezikojë pankinën”, tha Ferrara. E në fakt, tekniku është i vetëdijshëm se drejtuesit janë duke negociuar me Gus Hidink, duke u përpjekur të gjejnë një akord financiar me të. Holandezi kërkon 3.5 milionë euro deri në fund të këtij sezoni, ndërsa Juventusi ofron vetëm 2. Po ashtu, Hidink kërkon një rivlerësim të rrogës në rast rinovimi edhe për sezonin tjetër në muajin qershor. Ndërsa dy alternativat e tjera për të marrë pankinën bardhezi, janë ato të trajnerëve të përkohshëm, ku Dino Xof është kryesori, ndërsa emrat e tjerë mbeten ata të Klaudio Xhentiles dhe të Alberto Zakeronit. Megjithatë, këto opsione do të merren parasysh vetëm pasi të përfundojnë negociatat me Hidink. Ndeshja me Napolin ndoshta nuk do të mjaftojë për të shpëtuar stolin e Ferrarës, megjithëse vetë trajneri është i vetëdijshëm për atë që e pret. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)