E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtinë, Kuvendi nderon deputeten Nekibe Kelmendi

PRISHTINE- Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet sot në një seancë komemorative, ndërsa në hollin e Kuvendit do të bëhen homazhe në nderim të deputetes dhe ish- ministres, Nekibe Kelmendi, e cila u nda mbrëmë nga jeta.

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e jashtëzakonshme, me rastin e vdekjes së deputetes Nekibe Kelmendi, ka vendosur që sot në orën 13:30 Kuvendi të mbajë një mbledhje komemorative për deputeten e ndjerë.

Fillimisht Kryesia mbajti një minutë heshtje në shenjë nderimi për deputeten e të katër legjislaturave. Me këtë rast është krijuar Këshilli i varrimit, anëtarë të të cilit do të jenë kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i LDK-së dhe i Prishtinës, dr. Isa Mustafa, të gjithë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës, ish-presidenti Fatmir Sejdiu dhe të gjithë shefat e grupeve parlamentare.

Arkivoli i së ndjerës do të vendoset në hollin e Kuvendit nga ora 14:00- 15:00 për t'u nderuar nga deputetë dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës.

Edhe zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi do të organizojë sot ceremoni komemorative për deputeten e Kuvendit të Kosovës dhe ish-Ministren e Drejtësisë Nekibe Kelmendi.

Lidhja Demokratike e Kosovës organizon tubim komemorativ me rastin e vdekjes së Nekibe Kelmendit, deputete e Kuvendit të Republikës së Kosoës nga radhët e kësaj partie.

Ceremonia e vënies së gurthemelit të Pallatit të Drejtësisë, që ishte parashikuar të zhvillohet sot është shtyrë për datën 22 qershor për shkak të vdekjes së ish-Ministres së Drejtësisë dhe deputetes se Kuvendit të Kosovës, Nekibe Kelmendi.
(atsh/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›