E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kishte vendlindjen Çamëri, kthehet në kufirin me Greqinë

Për të disatën herë policia greke ka kthyer një tjetër shqiptar në kufi, me të vetmin motivacion se vendlindja e tij është Çamëria. Vetëm pak ditë më parë është kthyer dhe një gjyqtar së bashku me të shoqen, pasi babai i tij ishte lindur në Çamëri. Këtë fundjavë ka qenë radha e një të moshuar nga Vlora, i lindur në Gumenicë më 1937, nuk është lejuar të udhëtojë drejt Greqisë për të parë fëmijët e tij, vetëm për shkakun se ka lindur në Çamëri. Xhelal Hajrulla, u ndalua dy herë me radhë në Kapshticë dhe Kakavijë, vetëm për prejardhjen e tij. Ai tha se në Kapshticë i thanë se ndalohej me urdhër të qeverisë greke dhe në raportin për kthimin e tij u shtua se ishte i rrezikshëm në disa shtete të BE-së. “U nisa nga Kapshtica për të vajtur për të takuar fëmijët në Athinë. Kur shkova në Kapshticë, dogana greke më tha që kemi dy ditë që e kemi ndaluar me urdhër qeverie për të mos kaluar ata që kanë lindur në Çamëri. I padëshirueshëm për rendin publik në Greqi dhe person i rrezikshëm në disa shtete të Europës, për mua”, thotë Xhelal Hajrulla. Ndërsa shefi i doganës greke të Kakavijës e ka shtuar më tepër dozën e urrejtjes, duke i thënë se Çamëria ka vdekur. “Më merr dhe më çon te shefi i doganës greke. U ula në stol. Pasi pa pasaportën, më tha hajde këtu. Çamëve, më tha, do t’ua presim kokën se Çamëria, më tha, ka vdekur”, tregon i moshuari. I moshuari ka bërë apel Ministrisë së Jashtme që të ndërhyjë për të bërë zgjidhje për rastet e shumta ndaj shtetasve shqiptarë me origjinë çame, si dhe i bëri thirrje PDIU-së të protestojë në lidhje me këto akte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›