Prishtinë, Limaj vazhdon të mbahet në arrest shtëpiak
Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në kundërshtim me kërkesën e prokurorit Mauricio Salustro ka vendosur që i akuzuari në rastin “Kleçka”, Fatmir Limaj të mbahet në arrest shtëpiak.
Në arsyetimin e gjykatës është thënë se “Limaj nuk ka shkelur kushtet e paracaktuara për masën aktuale që e mban”. Kryetari i trupit gjykues, Xhonatan Uelford Karoll, ka deklaruar se gjatë kohës që zoti Limaj ka qëndruar në arrest shtëpiak, ka pasur shkelje, por siç ka thënë ai, ato kanë qenë shkelje teknike.
Gjykata ka vendosur, gjithashtu që tani e tutje Limaj në relacionin gjykatë-banesë të transportohet me makinën e policisë së Kosovës dhe jo me veturë private siç është vepruar deri tani. Arresti shtëpiak për Limajn do të vazhdojë edhe për dy muaj të tjerë.
Limaj nuk e gëzon më imunitetin e deputetit, pas një interpretimi të Kushtetutës, që Gjykata Kushtetuese i bëri më 20 shtator të 2011-ës, nëpërmjet të cilit të gjithë ligjvënësit u zhveshën nga imuniteti që gëzonin deri atëherë.
Deputeti Fatmir Limaj dhe nëntë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuzohen për krime kundër popullsisë civile gjatë luftës më 1999, në atë që njihet si "rasti Kleçka".