E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtinë, protesta kundër planit 6 pikësh

Albin Kurti, lider i Lëvizjes "Vetëvendosje", paralajmëron se EULEX-i do të pritet me demonstrata dhe kundërshtim në Kosovë, ndërsa shefi i UNMIK-ut është shpallur "person non- grata" në demonstratën e së martës.Duke iu drejtuar mijëra qytetarëve, të mbledhur në kryeqytet në kundërshtim të Planit 6-pikësh të OKB-së për Kosovën, Kurti ka kërkuar që UNMIK-u të largohet menjëherë nga Kosova.Ai tha se kundërshtimi i planit 6-pikësh nga presidenti dhe kryeministri i Kosovës është vetëm verbal, ndërsa qytetarët me anë të demonstratave po e bëjnë kundërshtimin parimor. "Mos iu besoni deklaratave të politikanëve, dokumentet kanë rëndësi, politikanët shkojnë e vijnë, dokumentet mbesin.
Dokumenti më i ri është plani 6-pikësh i Ban Ki Moonit. Me këtë pranohen strukturat paralele të Serbisë", tha Kurti, sipas të cilit politikanët kosovarë e kanë ndarë Kosovën qysh gjatë negociatave të Vjenës, në baza etnike, territoriale dhe institucionale.. Naser Shatri, një veteran i luftës së UÇK-së, ishte edhe më i drejtpërdrejtë."Presidenti dhe kryeministri i Kosovës po rrejnë... Kompromis pas kompromisi, e keqja nuk po ndalet", tha ai, para masës së tubuar para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Mijëra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes së 20 organizatave joqeveritare për të kundërshtuar planin 6-pikësh të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon.Kjo është protesta e dytë që organizohet në më pak se një javë kundër këtij plani, i cili javën e kaluar u përkrah nga Këshilli i Sigurimit. Sikur ishte planifikuar, protestuesit janë mbledhur pikërisht në mesditë para Bibliotekës Kombëtare, për të filluar më pas marshimin drejt ndërtesës së EULEX-it (ish-ndërtesa e UNMIK-ut), ku janë mbajtur fjalime kundër EULEX-it. Protestuesit kanë bërë thirrje për hedhjen poshtë të Rezolutës 1244, e cila përmendet në planin e ri.

"Nuk ka dhe nuk mund të ketë negociata për pavarësinë e Kosovës. Nuk do të pranojmë kthimin e proceseve mbrapa", tha Xhafer Xhaferi nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSBK), organizatë kjo që u është bashkuar 20 OJQ-ve organizatore të protestës.

"Hashim, edhe i bukur edhe tradhtar", "Fatmir as fat as i mirë", "Ik në Serbi Lamberto Zanieroviq", "Jo ndarje", "S'Ban S'Ki S'Mun", ishin disa nga parullat që janë bartur nga protestuesit. Demonstrata ka përfunduar paqësisht pas rreth një ore e gjysmë. Demonstruesit në fund kanë hedhur të gjitha sloganet në oborrin e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Organizatorët paralajmëruan demonstrata të tjera masive në kundërshtim të planit të OKB-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›