Prishtinë, zhvillohet sot seanca gjyqësore kundër Albin Kurtit
Me gjithë urdhërarrestin e lëshuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, për ta sjellë Albin Kurtin në Gjykatë, autoritetet e rendit nuk kanë arritur ta gjejnë atë. Paneli i gjykatësve ka vendosur që seanca të zhvillohet ditën e sotme. Gjyqtari Ferdinando De Mongot, ka thënë se mosprania e të akuzuarit dhe mungesa e gjykatëses vendëse të panelit, ka bërë që seanca të shtyhet. Një gjë të tillë e ka konfirmuar dhe zëdhënësja e komponentës së drejtësisë në EULEX, Kristina Herodes. “Të hënën paneli i gjyqtarëve në Gjykatën e Qarkut ka kërkuar nga Policia e Kosovës që ta sjellë zotin Kurti në gjykatë, por Policia e Kosovës nuk ka gjetur atë. Gjithashtu, njëra nga gjykatëset ka pasur një problem dhe nuk ka qenë e pranishme. Për këto arsye gjykimi është shtyrë për ditën e martë”, ka thënë Kristina Herodes. Ndërsa, avokati mbrojtës i caktuar nga EULEX-i, Ramiz Krasniqi, i cili më herët kishte ofruar dorëheqje, është detyruar të paraqitet sërish në seancën kundër Kurtit. Ai ka ka përsëritur se procesi gjyqësor ndaj Kurtit është i motivuar politikisht.
“Kam deklaruar se ky gjykim është politik dhe nuk kam pranuar që të jem mbrojtës i Albinit. Këtë mospranim e kam bërë edhe pas deklarimit të Albinit në media, kur ka thënë, sikurse dhe herëve të tjera, se ai nuk do avokat”. EULEX-i ka rinisur procesin e lënë në gjysmë nga UNMIK-u, kundër Albin Kurtit, i cili akuzohet për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale, pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues.
23 Shkurt 2010